Ferizaj fiton me përmbysje ndaj Dritës

Ferizaj i ka arkëtuar tri pikë tejet të rëndësishme në luftë për ekzistencë, duke fituar me përmbysje të rezultatit ndaj Dritës me rezultat 2-1.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me barazimin 0:0, megjithëse Mateo Panadic dhe Edon Sadriu te vendësit e Blend Baftiu dhe Ardit Tahiri te mysafirët, patën raste të mira, por nuk i shfrytëzuan.
Tetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë (53’), Drita kaloi në epërsi, me anë të Kastriot Selmanit, i cili më parë shmangu bukur mbrojtësin Ergon Hyseni dhe shënoi për 0-1.
Pikërisht Ergon Hyseni, i cili mund të shihet si “fajtor” për golin e pësuar, ia doli që vetëm pesë minuta më vonë (58’), shënoi me kokë dhe barazoi rezultatin në 1:1.
Në minutën e 63-të, Ardian Limani humbi një rast shumë të mirë, pasi nga afërsia prej dy metrave, gjuajti mbi portë.

Pesë minuta para fundit të ndeshjes, ish-lojtari i Dritës, Betim Haxhimusa realizoi për t’i dhënë epërsinë skuadrës vendase 2-1, rezultat me të cilin edhe përfundoi ndeshja.
Me këtë fitore Ferizaj pas një kohe të gjatë i shmanget i pozitës së fundit, tani me 21 pikë, derisa Drita mbetet e dyta me 44 sosh.
Ndeshjen e ardhshme Ferizaj e zhvillon në udhëtim te Drenica, derisa Drita para adhuruesve të vet pret Llapin.
/Shqip.com