Lajme Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Yllka Juniku-Shehu, ka thënë për Shqip.com, se rasti është iniciuar për të dy zyrtarët e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë dhe se hetimet ndaj të dy të përfshirëve janë duke vazhduar

Fakulteti i Edukimit në Gjakovë, liron nga puna të sulmuarin, por jo edhe sulmuesin

Rreth një muaj pas përleshjes, Fakulteti i Edukimit në Gjakovë ka liruar nga detyra, zyrtarin për shërbimin e studentëve, Albert Vula.

Vula që ishte sulmuar nga profesori Valdet Hysenaj, tha për Shqip.com, se vendimin e ka marrë nga Rektorati i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

“Për momentin nuk jam duke punuar sepse me kanë liru nga detyra deri sa të zgjidhet kjo çështje. Ka ardhur vendimi nga Rektorati në e-mailin tim, sa e di edhe ai është i liruar nga puna njëjtë si unë”, tha Vula.

Ndërsa vajza e tij, e cila nuk pranoi të identifikohet, ka thënë se vendimi i Rektoratit ndaj babait të saj ka ardhur nga sekretarja e përgjithshme e UFAGJ-së, Linda Dula Halilabazi.

“Baba është ende i shqetësuar nga rasti dhe ende nuk ka pranuar ndonjë vendim përfundimtar për rastin. Baba është liruar nga puna për arsyen se ka qenë i sulmuar. Baba e ka pranuar e-mailin nga sekretarja e përgjithshme e universitetit”, tha ajo.

Tutje, ajo citoi edhe e-mailin që kishte marrë nga Halilabazi më datë 6 tetor, pak ditë pasi kishte ndodhur ngjarja.

“Po citoj; ‘I nderuar uroj të jeni mirë më shëndet. Pas denoncimit tuaj për incidentin që keni pasur në vendin tuaj të punës dhe shqetësimet që mund të pasojnë nga kjo, jeni i liruar nga vijueshmëria në punë deri në një vendim tjetër, çoftë e kaluar dhe shërim të shpejtë, me respekt sekretarja, Linda Dula Halilabazi”.

Por, për dallim nga Vula, vendimi i njëjtë nuk është marrë edhe për profesorin Hysenaj.

Dekani i Fakultetit, Ilir Kelmendi, tha për Shqip.com, se Hysenajt, i lejohet të punojë, derisa sa nuk ka ndonjë vendim përfundimtar nga ana ligjore dhe ajo administrative.

“Akoma nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar as nga vija administrative dhe as nga vija ligjore, prandaj kjo e lejon që ai t’i  mbajë orët e tij, për shkak se nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar dhe nuk kemi asnjë lloj vendimi me e pezullu praninë e tij në njësi”, tha Kelmendi.

Ndërsa, sekretarja, Linda Dula-Halilabazi, nuk ka dashur që të flas për rastin, duke i kërkuar redaksisë që të drejtohet tek personat kompetent.

“Ju lutem që pyetjet tuaja, t’i drejtoni te personat kompetentë për stafin akademik dhe ata që janë te autorizuar të flasin në emër të organeve të caktuara”, ka thënë shkurt ajo.

“Rasti të cilit i referoheni ju, është dorëzuar në Këshillin e Etikës të Universitetit tonë dhe ne do të mund t’ju kthejmë një përgjigje definitive, vetëm pasi Këshilli i Etikës të ketë marrë vendim lidhur me incidentin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UFAGJ-së për Shqip.com.

Ndërsa, dekani Kelmendi, ka thënë se rasti, duhet të kalojë nga Këshilli i Etikës në Senat, duke lënë të nënkuptohet se ka edhe procedura tjera deri tek vendimi.

“Vetë fjala Këshill i Etikës është se e këshillon Senatin që të ndërmarrë masa dhe rasti në senat akoma nuk është bartë, kurse në anën ligjore rasti është në prokurori dhe derisa rasti kalon në instanca gjyqësore, aktivitetet e tjera në vijën administrative pushojnë deri në marrjen e vendimit zyrtar përfundimtar të cilësdo formë, qoftë administrative qoftë ligjore, dhe gatishmëria është mënyra më perfekte me e respektu”.

Prokuroria nis hetim për të dy zyrtarët

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka nisur hetimet ndaj të dy zyrtarëve të Fakultetit të Edukimit në Gjakovë.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Yllka Juniku-Shehu, ka deklaruar ky institucion po vazhdon hetimet dhe se nuk ka diçka konkrete.

“Prokuroria ka nisur hetime lidhur me incidentin që ka ndodhur në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Të dy personat e përfshirë në ngjarje kanë lëndime trupore, andaj për të dy, ka filluar procedura për lëndim të lehtë trupor, pra është iniciuar si rast”, tha Juniku-Shehu.

Para një muaji, Vula kishte thënë për Shqip.com, se incidenti ndodhi nga kundërshtimi i profesorit Hysenaj, që ta mbyllë derën.

“Ai personi ka ardhur në zyrë së bashku me një studente për t’i dorëzuar dokumentet e saj, gjë e cila nuk ka bërë vaki askund, sepse studenti duhet vetë t’i dorëzojë dokumentet. Pasi doli ma la derën hapur dhe i thash mbyllë ketë derë se promajë sepse unë jam i sëmurë nga sëmundjet dhe më është drejtuar me mbylle gojën dhe unë i thash si mundesh me u sjell ti kështu në zyrën time dhe ai vazhdoi duke me thënë ta shkyjë gojën”, tha Vula.

Lexo edhe:
Dy zyrtarë të Fakultetit të Edukimit në Gjakovë, përfundojnë debatin me përleshje

Tutje, Vula ka thënë se pasi ishte goditur ka tentuar që të vetëmbrohet. Nga ana tjetër profesori Hysenaj nuk ka pranuar të flas për rastin.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka thënë të mos ketë asnjë informacion rreth përleshjes.

Organi më i lartë arsimor në vend ka thënë tutje se në raste të tilla, duhet të zhvillohen procedurat e brendshme në institucionin arsimor.

/Shqip.com