Lajme Zyrtari i Zyrës për Shërbimin e Studenteve në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Agron Vula ka thënë për Shqip.com se ishte sulmuar nga profesori Valdet Hysenaj. Me rastin po merren Policia e Kosovës, Këshilli i Etikës dhe Inspektorati Arsimor.

Dy zyrtarë të Fakultetit të Edukimit në Gjakovë, përfundojnë debatin me përleshje

Profesori Valdet Hysenaj dhe zyrtari për shërbimin e studentëve në Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Albert Vula, përfunduan diskutimet e ashpra me përleshje.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës.

Zëdhënësi Sheremet Elezaj, ka thënë se njëri nga të përfshirët në ngjarje, kishte pësuar lëndime.

“Dje rreth orës 11:00 Stacioni Policor në Gjakovë është njoftuar për një incident në Fakultetin e Edukimit “Fehmi Agani” në Gjakovë në mes të dy zyrtarëve punonjës të po të njëjtit fakultet. Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku si pasojë e atij incidenti njëri nga personat e përfshirë në rast kishte pësuar lëndime të lehta trupore”, tha Elezaj.

Zyrtari për shërbimin e studentëve Albert Vula tha për Shqip.com, se incidenti ka ndodhur nga kundërshtimi i profesorit Hysenaj, që ta mbyllë derën.

“Ai personi ka ardhur në zyrë së bashku me një studente për t’i dorëzuar dokumentet e saj, gjë e cila nuk ka bërë vaki askund, sepse studenti duhet vetë t’i dorëzojë dokumentet. Pasi doli ma la derën hapur dhe i thash mbyllë ketë derë se promajë sepse unë jam i sëmurë nga sëmundjet dhe më është drejtuar me mbylle gojën dhe unë i thash si mundesh me u sjell ti kështu në zyrën time dhe ai vazhdoi duke me thënë ta shkyjë gojën”, tha Vula.

Tutje, Vula tha se pasi ishte goditur ka tentuar që të vetëmbrohet.

“E ka qitë jashtë atë studenten që ishte më të dhe më ka shtyrë me dokumente të saj, ndërsa unë kam rrëshqitë dhe pastaj më ka goditur, ndërsa unë jam zgju dhe jam mundu me e mbrojtë vetveten sepse ai ka rrejt e ka thënë se me ka goditur”.

Ai ka thënë se rastin e ka përcjellë në organet kompetente.

“Ngjarjen e kam përcjellur në rektorat, e kam njoftuar edhe Ministrinë e Arsimit, zëvendësministrin e arsimit dhe nesër më ka mbetur me e njoftu Ministrinë e Drejtësisë”, ka thënë tutje Vula.

Nga ana tjetër profesori Hysenaj nuk ka pranuar të flas për rastin.

“Nuk kam se çfarë them në lidhje me këtë sepse atë se çfarë është dashur të them, e kam bërë zyrtarisht në organe kompetente”, tha Hysenaj shkurt për Shqip.com.

Ndërkohë rektorati i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, kanë thënë se këtë rast po merret Këshilli i Etikës.

“Rasti të cilit i referoheni, ju është dorëzuar në Këshillin e Etikës të Universitetit tonë dhe ne do të mund t’ju kthejmë një përgjigje definitive vetëm pasi Këshilli i Etikës të ketë marrë vendim lidhur me incidentin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e rektoratit të këtij universiteti.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë të mos ketë asnjë informacion rreth përleshjes.

Organi më i lartë arsimor në vend ka thënë tutje se në raste të tilla, duhet të zhvillohen procedurat e brendshme në institucionin arsimor.

/Shqip.com