Lajme

ETEA: Po tentohet të kopjohet në Provimin e Maturës, MASHTI të marrë masa

Organizata për arsim në Kosovë, ETEA njofton se është duke përcjellë me vëmendje komunikimet mes nxënësve lidhur me Provimin e Maturës dhe konstaton se gjendja është tejet alarmante.

Sipas dëshmive të siguruara nga kjo organizatë, maturantët janë duke bërë përgatitje për të kopjuar në teste.

Sipas ETEA-s, në këto dëshmi flitet për përfshirjen e mësimdhënësve dhe familjarëve në grupet e rrjeteve sociale të hapura për qëllime të kopjimit.

“Në këto komunikime vërehen edhe diskutime ku kërkohen këto shërbime duke premtuar pagesa. Nga komunikimet kuptohet se ka student të cilët ofrojnë ndihmë për kopjim në këmbim të votave për Zgjedhjet Studentore në Universitet”, thuhet në komunikatën për media.

Ajo që bie më shumë në sy janë rregullat e krijuara nga këto grupe në rrjetet sociale.

“Emrat e grupeve të rrjeteve sociale ndryshojnë vazhdimisht. Kushdo që përfshihet në këto grupe, për të qëndruar aty obligohet ta mbajë foton e profilit dhe emrin dhe mbiemrin ta zëvendësojë me iniciale, përndryshe përjashtohet nga grupet në kohë rekorde. Administratorët e grupeve në fjalë duket të jenë të ashpër përmes paralajmërimeve dhe kërcënimeve ndaj kujtdo që identifikohet se ka shpërndarë informacion për ekzistimin dhe funksionimin e këtyre grupeve”, thuhet në komunikatën e ETEA-së.

MASHTI, mori vendim që të përfshihen ekspertë të kibernetikës në grupet punuese të Këshillit Shtetëror të Maturës, të cilin vendim e aplikoi edhe në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë.

Megjithatë, ETEA konstaton se përfshirja e ekspertëve të kibernetikës në këto grupe punuese gjatë pjesës së dytë të testit të arritshmërisë nuk është e mjaftueshme.

“Grupet e semi-maturantëve për qëllime të kopjimit, me anëtarësi deri në 5 mijë persona, kanë qenë aktive ngjashëm sikurse në pjesën e parë të Testit të Arritshmërisë dhe komunikimi ka qenë në dinamikë kulminante gjatë kohës së zhvillimit të testit në fjalë”.

ETEA rekomandon që të ndërmirrën me urgjencë masa rigoroze për parandalimin e fenomeneve të tilla.

Në të kundërt, ETEA konsideron se është më e arsyeshme të pezullohet organizimi i testeve kombëtare për klasat e 9-ta dhe 12-ta derisa te krijohen kushtet për testim të drejtë dhe korrekt.

Ndryshe, ditë më parë rreth 24 mijë nxënës të cilët kanë përfunduar klasën e nëntë iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë./Shqip.com