Lajme

Escobar takon nesër Kurtin

Foto nga takimi Kurti-Escobar

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar pritet që gjatë ditës së nesërme të zhvillojë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Përparim Kryeziu- Zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.

“Takimi në mes të kryeministrit Kurti dhe të dërguarit special të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi do të mbahet gjatë ditës së nesërme”, ka thënë Kryeziu.

Më tutje Kryeziu nuk ka dhënë detaje se kur pritet të mbahet takimi.

Gjatë ditës së djeshme, Escobar qëndroi në Serbi ku zhvilloi takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, Vuçiq përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Më tutje, Vuçiq falënderoi SHBA-në për mbështetjen që i japin dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe për angazhimin për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Lexo edhe:
Vuçiq: Gjithçka që është nënshkruar në Bruksel duhet të zbatohet, përfshirë edhe Asociacionin

Më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij, që do të kërkojë më shumë bisedime.

Plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Serbia thotë se formimi urgjent i Asociacionit mbetet përparësi e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të martën se marrëveshja për Asociacionin gjendet në pikën e dhjetë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo “zajednicës” siç e kemi quajtur ndryshe, ajo është në nenin 10 njëra prej 33 marrëveshjeve. Natyrisht ne e dimë qëndrimin e Serbisë mirëpo unë duhet që t’i referohem asaj për çfarë jemi marrë vesh dhe atë keni mundur që ta lexoni që të gjithë, ndërkaq plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër”, tha kryeministri Kurti.

Lexo edhe:
Lajçak: Pa asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi

Miroslav Lajçak, ka thënë se pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, “nuk ka marrëveshje” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën do të zhvillojnë takim, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku me shumë gjasë pritet që të nënshkruhet nga të dy palët, plani evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se fillimisht, kryediplomati evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me dy liderët, nga ora 10:00, ndërkohë që më pas do të pasojë takimi kokë më kokë mes dy liderëve.

/Shqip.com