Lajme Ballkan

Vuçiq: Gjithçka që është nënshkruar në Bruksel duhet të zbatohet, përfshirë edhe Asociacionin

Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se çdo gjë që tashmë është nënshkruar në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel duhet të zbatohet, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në një intervistë për Euronews, Vuçiq tha se kur bëhet fjalë për Bashkësinë e Komunave Serbe, nën patronazhin e BE-së, janë nënshkruar katër marrëveshje – plani i zbatimit, parimet, administrimi dhe Marrëveshja e Parë.

“Këto janë katër marrëveshje. Ne tashmë kemi nënshkruar gjithçka dhe natyrisht ajo është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ajo duhet të zbatohet. Dhe ky nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku, të jetojnë shumë më mirë dhe të respektojnë njëri-tjetrin, pa armiqësi. Nuk kam në plan të flas për fajin e askujt, nuk ka rëndësi nëse do të ndodhë brenda tre muajve apo tre vjetëve, por nëse ia dalim, do të jetë një sukses historik,” tha Vuçiq.

I pyetur nëse po përgatitej për një raund të ri bisedimesh me përfaqësuesit e Kosovës dhe se cilat ishin “vijat e kuqe”

“Ne jemi gati ta bëjmë këtë. Natyrisht, të dyja palët kanë vijat e tyre të kuqe dhe unë nuk mund ta mohoj këtë, por duhet, besoj të dy palët, të bëjmë shumë për të normalizuar situatën midis kombeve tona, popujve tanë dhe me këtë në mendje, unë besoj se është në interesin e të dy palëve për të siguruar rrjedhjen e lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit. Ne duhet të punojmë me shumë zell për këtë, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme,” nënvizoi Vuçiq.

I pyetur nëse Serbia është e gatshme për disa lëshime ndaj palës kosovare kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës apo të paktën për të filluar atë procedurë, Vuçiq tha se ata “tashmë e kanë nisur këtë procedurë në Këshillin e Evropës, pa pyetur Serbinë.

“Ata morën përgjigjen time për këtë, i thashë si Macronit dhe Scholz drejtpërsëdrejti se çfarë mendoj rreth pranimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe disa gjëra të tjera. Por jemi gati të flasim për çështje të tjera, jemi gjithmonë gati të flasim. Po kështu, ne duhet të flasim rreth disa ligjeve që duhet të miratohen dhe unë do ta diskutoj atë në Ohër me ndërmjetësit e mi dhe disa njerëz të tjerë. Por ne jemi gati të diskutojmë shumë çështje dhe ata i dinë vijat e mia të kuqe,” tha Vuçiq, duke përsëritur se nuk dëshiron të flasë publikisht për këtë sepse dëshiron të lërë mjaft vend për kompromis të mundshëm.

Kujtojmë se me 18 mars do të ketë një takim në mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian lidhur me planin e zbatimit të propozimit evropian që tashmë të dy vendet e kanë pranuar.

/Shqip.com