Lajme Ballkan

Escobar: Nuk do hezitojmë vendosjen e sanksioneve për ata që destabilizojnë Ballkanin

Gabriel Escobar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të hezitojnë shfrytëzimin e mekanizmit të sanksioneve për të çuar një mesazh të fortë për personat e korruptuar dhe ata që destabilizojnë rajonin e Ballkanit, transmeton Shqip.com.

Kështu ka deklaruar ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, i cili tha se liderët në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për interesin e qytetarëve dhe jo për përfitime personale të partive të tyre.

Lexo edhe:
Osmani për sanksionimin e Dodikut nga SHBA-ja: Përveç korrupsionit, ka kërcënuar paqen në Bosnje

Tutje, ai ka shtuar se SHBA-ja do të jetë partner i atyre që kanë qasje konstruktive karshi të ardhmes së rajonit, raporton agjencia e lajmeve “MINA”.

“Ne nuk do të hezitojmë të shfrytëzojmë sanksionet dhe mekanizma të tjerë për të çuar një mesazh të fortë për akterë të korruptuar dhe që destabilizojnë”, ka thënë Escobar.

Teksa foli për situatën në Malin e Zi, Escobar tha se është “irrituese” se si politikanët shfrytëzojnë çështjen e identitetit për të fituar poena politikë.

“Është shumë frustruese dhe kundërproduktive që politikanët dhe aktorët e tjerë po shfrytëzojnë temat e identitetit për të fituar pikë politike në kurriz të përparimit ekonomik dhe pajtimit rajonal,” ka shtuar Escobar.

Ndryshe, të mërkurën Zyra e departamentit amerikan i Thesarit të ShBA-së, në kuadër të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ka vendosur sanksione për anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Sipas këtij departamenti, Dodik është i përfshirë në aktivitete korruptive dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, përcjell Shqip.com.

Përveç tij, sanksione janë vendosur edhe ndaj televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka për shkak të ndërlidhjes me Dodikun./SHQIP.com