Lajme

Escobar: Formimi i Asociacionit dhe shtyrja e vendimit për targa janë kërkesa tona

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se Kosova duhet të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si dhe duhet të përmbushët kërkesa e tyre lidhur me targat.

Në një intervistë për VOA, Escobar tha se do të ngulin këmbë në kërkesat e tyre.

“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.

Ndërsa, lidhur me deklaratat e kryeministrit të Kosoëvs, Albin Kurti me atë se Serbia po përpiqët që të maskojë refuzimin e planit franko-gjerman nepërmjet situatës së krijuar në Kosovë, Escobar tha se nuk mendon kështu.

“Jo nuk mendoj që është kështu. Mendoj se reagimi është në atë se çfarë po ndodhë në terren. Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është. Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”.

Ai theksoi se pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara, nuk do të ketë ndryshim të qasjes amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Pikëpamja jonë për Ballkanin Perëndimor është se rajoni duhet të jetë i integruar në komunitetin e vendeve demokratike perëndimore që do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjithë, anëtarësim në NATO për ata që duan dhe integrim rajonal për të gjithë që të ndihmojnë zgjidhjen e dallimeve midis tyre. Pra jo asgjë nuk do të ndryshojë si rrjedhojë e zgjedhjeve”, tha zoti Escobar, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që deri me 21 prill të vitit të ardhshëm të moslejojë qarkullimin e automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në Kosovë.

Deri me 21 nëntor është faza e qortimit ndaj shoferëve që vozisin automjete të tilla për të vazhduar më pastaj me masën e gjobave deri me 21 janar.

Pas fazës së gjobave, për dy muaj do të bëhet testimi i targave si dhe do të ketë lehtësira deri me 31 mars në riregjistrimin e automjeteve në targa RKS.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë pati pakënaqësi nga ana e ndërkombëtarëve, Serbisë dhe serbëve lokal.

Qeveria shkarkoi edhe drejtorin e Policisë rajonale në veri të vendit për arsyeje se refuzonte qe të bënte qortimin e këtyre shoferëve.

Pas kësaj, Lista Serbe njoftoi se do të dal nga institucionet. – Ata kanë dorëzuar mandatet e tyre si deputet në Kuvendin e Kosovës si dhe shumë zyrtarë të komunitetit serb kanë dhënë tashmë dorëheqjet e tyre.

Sipas tyre, ky bojkotim i institucioneve është deri atëherë kur të shfuqizohet vendimi i Qeverisë për targat si dhe të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

/Shqip.com