Lajme Botë

Erdogan nuk arrin numrin e vendeve që i nevojiten për ndryshimet ligjore

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i rizgjedhur i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka ruajtur shumicën e tij në parlament, sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të 14 majit, por partia e tij nuk ka arritur numrin e vendeve që i nevojiten për të bërë ndryshimet kryesore ligjore.

“AKP-ja në pushtet e Erdoganit dhe aleatët e saj kanë një shumicë, me 323 nga 600 vendet në parlament”, tha sot në Ankara kreu i autoritetit zgjedhor YSK, Ahmet Yener.

Erdogan ka nevojë për 360 vende për të thirrur një referendum dhe 400 vende për të bërë ndryshime kushtetuese.

Ai mund të miratojë ende disa ndryshime legjislative me dekret presidencial, megjithatë, sipas kompetencave të tij si president ekzekutiv që nga viti 2018.

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën dy javë më parë, por shpallja e rezultateve u vonua për shkak të kundërshtimeve të shumta.

AKP-ja e Erdoganit fitoi 268 vende, që është 27 më pak se në mandatin e mëparshëm. MHP, partia nacionaliste e cila është partnere me AKP-në, fitoi 50 vende ndërsa islamistja Yeniden Refah fitoi pesë.

Partia e dytë më e fortë është opozita kryesore Partia Popullore Republikane (CHP) me 169 vende.

Kreu i CHP-së dhe kandidati i përbashkët i opozitës për presidencën, Kemal Kılıçdaroglu, u mund nga Erdogan në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të dielën.

Partia e dytë më e madhe opozitare, HDP pro-kurde, në koalicion me partinë motër Partinë e Majtë të Gjelbër për shkak të një çështjeje të pazgjidhur ligjore, humbi gjashtë vende dhe tani ka 61 në parlamentin e ri.

“Ligjvënësit e rinj pritet të bëjnë betimin të premten”, sipas medias lokale.

Kabineti i ri nuk është emëruar ende, ndërsa Erdogan raportohet se ishte në bisedime me ish carin e ekonomisë Mehmet Shimşek për një post kyç për të ndihmuar në përmirësimin e ekonomisë së vendit.

Ndërkohë, autoriteti turk RTUK njoftoi sot se ka nisur një hetim ndaj gjashtë stacioneve televizive kryesore që kanë qenë kritikë ndaj qeverisë për “poshtërimin e kombit” gjatë mbulimit të zgjedhjeve.

Qeveria e Erdoganit kontrollon drejtpërdrejt ose tërthorazi pothuajse të gjithë peizazhin e medias konvencionale në Turqi, një arsye që vëzhguesit përmendin për fitoren e tij në votimin e së dielës.

/Shqip.com