Lajme

Emrat që pritet t’i zëvendësojnë deputetët e dorëhequr të Listës Serbe

Kuvendi i Kosovës

Pas dorëzimit të mandatit të dhjetë deputetëve nga Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës, ulëset e tyre pritet t’i zëvendësojnë dhjetë të tjerë.

Këta dhjetë të tjerë pritet të jenë deputetët pasues në listat zgjedhore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas numrit të votave që kanë marrë.

Dhjetë emrat që pritet t’i fitojnë ulëset në Kuvendin e Kosovës janë: Milan Kostiq, Dragana Antonijeviq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Jokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajloviq, Biljana Maksiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq dhe Olivera Zdravkoviq.

Sipas kryekuvendarit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëse edhe këta kandidatë për deputetë refuzojnë mandatin e tyre në Kuvend atëherë do të vazhdohet me të tjerët në listë sipas radhës.

Kosova ka hyrë në ditën e katërt të tensioneve në katër komunat veriore të vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan).

Serbët gjetën arsye të ngritin tensionet pas suspendimit të Drejtorit të Policisë për rajonin e Veriut.

Kjo solli largimin e mbi 500 zyrtarëve policor, gjykatësve, kryetarëve dhe këshilltarëve komunal.

Serbët gjithashtu, mbajtën një protestë, duke akuzuar institucionet e Kosovës për presion.

Në të njëjtën linjë janë edhe qeveritarë nga Serbia.

Kryeministri i vendit Albin Kurti, këto hapa i cilësoi si pjesë e planit të Serbisë për të mos pranuar dokumentin franko-gjerman.

Ai dha shenja mbështetjeje për këtë plan, derisa pranoi se Kosova ka dërguar përgjigjet e saj në Bruksel.

Publikimi i këtyre detajeve erdhi pak kohë pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia po diskutojnë për përmbajtjen e planit që nga pranvera e këtij viti.

Deri më tani, zyrtarët qeveritarë të Kosovës dokumentin në fjalë e kishin quajtur të rremë.

Gjatë së hënës vijimësisë së dorëheqjeve iu bashkëngjit edhe Lista Serbe, deputetët e së cilës dorëzuan mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Krerë të institucioneve qendrore mbajtën takime, derisa ende nuk është përcaktuar se si do të veprohet tutje.

/Shqip.com