Sport Ndërkombëtar

Eliminohet skuadra me bilancin më të mirë në stinorin e rregullt  

NBA vazhdon të jetë kampionati i surprizave dhe kështu ishte edhe nata e kaluar. Milwaukee Bucks, skuadra që e mbylli sezonin e rregullt me bilancin më të mirë është eliminuar nga Miami, e cila ndeshjen e pestë e fitoi me rezultat 128-126, duke e mbyllur serinë në 4-1. Miami fitoi në kohën shtesë, në një ndeshje ku vendasit nuk shfrytëzuan një avantazh prej 16 pikësh që kishin në periodën e tretë.

Miami përmbysi shifrat në periodën e katërt falë Butler (42 pikë), ndërsa Adebayo realizoi një “triple double” (20 pikë, 10 kërcime, 10 asistime). Për Milwaukee, Antetokounmpo realizoi 38 pikë e 20 kërcime, ndërsa Middleton 33 pikë, por që s’mjaftuan për të fituar, duke u eliminuar që në çerekfinale.

Përballë Miamit në gjysmëfinale do të jetë New York, që  fitoi 106-95 ndaj Cleveland, duke fituar 4-1 serinë. Brunson me 23 pikë e Barrett me 21 bënë diferencën në fushë për njujorkezët, duke i bërë të pavlefshme 28 pikët e Mitchell për Cavaliers.

Në Perëndim, Memphis rihap garën ndaj Lakers, duke fituar 116-99, por këta të fundit udhëheqin 3-2 serinë e ndeshjeve çerekfinale. Davis realizoi 31 pikë e 19 kërcime, por që s’mjaftuan për të fituar, ndërsa për Memphis dyshja Bane-Morant realizoi 64 pikë.

Në avantazh 3-2 me ndeshje shkon ekipi kampion i Golden State, që mundi 123-116 Sacramenton. Curry me 31 pikë ishte lider në fushë për Warriors, duke i bërë të pavlefshme 24 pikët e Fox për vendasit.

Play off-Çerekfinale – Lindje
Philadelphia – Brooklyn, (4-0)
Boston – Atlanta, (3-2)
Cleveland – New York, 95-106 (1-4)
Milwaukee – Miami, 126-128 (1-4)

Play off-Çerekfinale – Perëndim
Sacramento – Golden State, 116-123 (2-3)
Memphis – Lakers, 116-99 (2-3)
Phoenix – Clippers, (4-1)
Denver – Minnesota, (4-1)

/Shqip.com