Lajme Botë

El Salvadori ka arrestuar 2 % të popullsisë së tij

Tetë muaj pasi presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, shpalli luftë kundër bandave kriminale, vlerësohet se 2 % e popullsisë mbi 18 vjeç, ose rreth 100 mijë persona, janë tashmë në burg.

Veprimet e ndërmarra nga autoritetet sollën reagimin e ashpër të grupeve kriminale, me dhjetëra të vrarë. Pas këtyre zhvillimeve, vendi u fut në gjendje të jashtëzakonshme dhe disa liri kushtetuese u pezulluan përkohësisht, përfshirë edhe liria e grumbullimit, shkruan CNN.

Gjithsesi, grushti i hekurt kundër bandave duket se po funksionon, pasi nivelet e vrasjeve në vend kanë rënë.

Ndërsa, vetë Bukele ka fituar një popullaritet që do ta ëndërronte çdo kryetar shteti, pasi 86 % e njerëzve e vlerësojnë punën e tij, sipas një sondazhi të Gallup realizuar në 12 shtete të Amerikës Latine dhe Qendrore.

Analistë të rajonit thonë se veprimet e Bukeles mund “t’iu pëlqejnë” edhe liderëve të tjerë në rajon, të cilët mund të nxitojnë që t’i kopjojnë ato, për të zgjidhur problemet e veta. Jonathan D. Rosen, asistent profesor në Universitetin e Nju Xhersit, autor i disa librave për krimin e organizuar, thotë se zakonisht, politikat me “dorë të hekurt” kanë tendencën ta kthejnë goditjen.

El Salvadori është shtëpia e disa prej bandave më të rrezikshme dhe famëkeqe kriminale, si Barrio 18 dhe MS-13. Kjo e fundit ka lindur në Los Anxhelosin e viteve 1980 mes emigrantëve nga El Salvadori, të cilët ishin larguar nga vendi i tyre, i përfshirë në luftë civile. Në vitet 1990, në të u përfshinë emigrantë nga disa shtete të tjera të Amerikës Qendrore.

Shumë prej tyre u deportuan nga Amerika dhe para se Bukele të niste fushatën kundër krimit, mendohet se në vend kishte rreth 70 mijë anëtarë aktiv bandash. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se kjo politikë ka problemet e veta. Nga marsi në nëntor të këtij viti janë arrestuar 58 mijë persona, qelitë janë të tejmbushura dhe shoqëria po militarizohet, teksa forca të armatosura patrullojnë dendur rrugët.

Human Rights Watch publikoi një raport më 7 dhjetor ku ngre akuza për shkelje të të drejtave të njeriut, tortura dhe trajtime çnjerëzore në qeli, arrestime arbitrare dhe diskriminim i lagjeve të varfra. Gjithashtu, HRË thotë se shumë prej arrestimeve janë kryer në paragjykim, duke i identifikuar të dyshuarit nga pamja e jashtme, biografia dhe informacione anonime.

Sipas Juan Pappier, nga HRW, shtete të tjera në rajon, si Ekuadori, Hondurasi dhe Xhamajka, kanë ndjekur të njëjtin stil pune, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Sipas analistëve, burgosja masive çoi në forcimin e lidhjeve të kriminelëve brenda qelive. Bukele madje është akuzuar në të të kaluarën se kishte bërë marrëveshje me kriminelët dhe prishja e saj solli në rritjen e ndjeshme të vrasjeve në vend.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha për CNN se dhuna e bandave kriminale është problem i rëndë në El Salvador, por mbajtja e gjendjes së jashtëzakonshme për një kohë të gjatë nuk mund të jetë politikë e qëndrueshme dhe ka ngritur shqetësime rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Sipas Pappier, organizatat kriminale tani kanë kushtet ideale për të rekrutuar anëtarë të rinj. “Njerëz pa lidhje me bandat po arrestohen, futen në qeli dhe po iu shkatërrohet jeta. Këto janë kushtet e përkryera për t’u rekrutuar”, ka thënë Pappier.

/Shqip.com