Kulturë

Ekspertët: Largimi i Sunny Hill do të dëmtojë imazhin dhe ekonominë e Kosovës

“Anulimi i Festivalit Sunny Hill, e ka dëmtuar diplomacinë publike të Kosovës”.

Kështu e vlerëson largimin e këtij festivali nga Prishtina drejt Tiranës, profesoresha e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Remzie Shahini- Hoxhaj.

Ajo thotë se largimi i Sunny Hill do të bëjë që Kosova të duket vend jo stabil.

“Mendoj që Kosova tani do të shihet me skepticizëm për shkak të imazhit që e ka pas në mediat botërore edhe në vende tjera për shkak të luftës edhe konfliktit të vazhdueshëm me Serbinë, do të filloj të shihet sërish si një vend jo stabil ku nuk mund të zhvillohen aktivitete të tilla kulturore siç ka qenë Sunny Hill”, u shpreh tutje profesoresha universitare.

Lexo edhe:
Dështon “Sunny Hill” në Prishtinë, festivali zhvendoset në Tiranë

Njëjtë u shpreh edhe njohësja për marrëdhënie me publikun, Arbenita Hoxha Ramaj, e cila zhvendosjen e festivalit e konsideron dështim për kulturën.

“Largimi i festivalit është dështimi më i madh në kulturën e Kosovës. Këngëtarja Dua Lipa duke u munduar me çdo kusht të promovojë vendin tonë, t’i tregojë botës që jemi vendi me popullsinë më të re, ne ia dhamë një “shuplakë fytyrës” duke e larguar nga Kosova me arsyen që nuk kemi hapësirë të mjaftueshme”, tha Hoxha-Rama.

Eksperti i ekonomisë: Qeveria po refuzon të pranojë çdo gjë që e këndell ekonominë e vendit

Si humbje të madhe po e konsideron edhe ekonomisti Mustafë Kadriaj, për të cilin largimi i festivalit me përmasa ndërkombëtare si Sunny Hill, është i  papranueshme për faktin që siç e konsideron ai – festivali kishte efekt ekonomik por ishte edhe ambasador i Kosovës.

“Pra në vend që të dy nivelet qeverisëse të i përshpejtojnë procedurat administrative për t’i ofruar komoditetin më të madh, këto tentojnë që të kontestojnë festivalin njëherit të i hedhin fajin njëra-tjetrës”, u shpreh Kadriaj për Shqip.com.

Ai tha se humbjet ekonomike do jene evidente për faktin që do dëmtohet gastronomia si hotel dhe restorantet e po ashtu do humb prodhimi vendor.

“Pra në vend që të shfrytëzohet çdo gjë e cila do e këndellte ekonominë, Qeveria në vend e konteston festivalin” u shpreh tutje Kadriaj.

Lexo edhe:
VV në Prishtinë: Duhet ta mirëpresim heqjen dorë të “Sunny Hill” nga insistimi për 99 vjet pronë

Pritet pjesëmarrje masive në Tiranë

Ndërkaq organizatori i festivalit, Alban Kastrati, thotë se vendi ku është vendosur të mbahet edicioni i tretë i festivalit është mjaft i përshtatshëm.

“Natyrisht do të jetë sfidë por do të kemi një hapësirë e cila është shumë më e përshtatshme për mbajtjen e festivalit, dhe kemi pas mbështetje të pa kursyer prej Bashkësisë së Tiranës për me pas një hapësirë e cila edhe e mundëson vazhdimin e festivalit përkundër kohës së shkurtër”, tha Kastrati për Shqip.com.

Tutje, ai tha se bisedimet me Komunën e Prishtinës e Qeverinë do të vazhdojnë ende, për rikthimin e Sunny Hill në Kosovë.

“Po ne jemi në proces ende me Qeverinë edhe komunën dhe në momentin e parë që ata janë të gatshëm ne jemi shume të interesuar që prapë të mbahet në Prishtinë”, tha tutje ai.

Kastarti thotë se festivali në Tiranë pritet të jetë i madh me pjesëmarrje të madhe edhe nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera./Shqip.com

Lexo edhe:
Hajrullah Çeku: Duam ta vazhdojmë bashkëpunimin me “Sunny Hill”, t’ua plotësojmë kërkesat