Lajme

Ekspertët e sigurisë e shohin si të vështirë përshpejtimin për anëtarësimin në NATO

Flamuri i NATO-s

Anëtarësimi në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), po vlerësohet si shumë kompleks dhe vështirë se mund të përshpejtohet, ku po kërkohen veprime konkrete që mos të përsëriten gabimet e më hershme.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, tha se tërheqja në momentin e fundit për aplikim në organizata ndërkombëtare të sigurisë vazhdon të ketë pasoja për Kosovën në çështjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërkufitar po vlerëson.

“Është tendencë e vazhdueshme dhe fatkeqësisht dështimi jonë apo tërheqja në momentin e fundit për aplikim në organizata ndërkombëtare të sigurisë vazhdon të ketë pasoja për Kosovën në çështjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërkufitar dhe mendoj që edhe me Shqipërinë duhet të jetësohet kur kemi trend të rritur në aspektin e rrezikimit dhe kërcënimit të sigurisë jo vetëm në rajon, por edhe në kufijtë të Kosovës”, ka thënë ai.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi

Ibishi shtoi se Qeveria duhet të jetë e përqendruar dhe të fillojë sa më parë kërkesën për anëtarësim në NATO, OKB dhe Këshillin e Evropës, në mënyrë që të përgatitet edhe për lobim në fazën e marrjes së vendimit.

“Duhet të shfrytëzohet momentum dhe të jetë e përqendruar dhe kërkesat për anëtarësim në OKB t’i fillojë qysh më herët me qëllim që në momentin e mbajtjes së asambleve sikur që është INTERPOL apo edhe organizatave tjera ndërkombëtare të jemi shumë më të përgatitur edhe për lobim edhe në fazën e vetë marrjes së vendimit. Ne kemi partner tonë strategjik që na mbështesin dhe duhet shfrytëzuar momentum”, tha Ibishi.

Nga ana tjetër njohësi i rrethanave politike në vend, Fatmir Çollaku tha se anëtarësimi në NATO është proces kompleks dhe gjasat për një përshpejtim të këtij procesi janë shumë të vogla.

“Anëtarësimi në NATO është proces kompleks në të vërtetë kush i njeh mirë këto probleme e dinë se nuk mund të realizohet lehtë. Aktualizimi dhe ideja për përshpejtim  të procedurave është e mirë dhe shumë e dobishme dhe natyrisht interesi ynë kombëtar është që sa më shpejt që ka mundësi të anëtarësohet Kosova në NATO. Mirëpo se sa janë gjasat reale për një anëtarësim të përshpejtuar unë mendoj që gjasat janë të vogla”, ka thënë ai.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Fatmir Çollaku

Mes tjerash, ai tha se bashkëpunimi i fushës së sigurisë me Shqipërinë është i kënaqshëm, por se shteti amë nuk ka ndonjë pozicion përveç që është anëtare e NATO-s.

“Asnjë kapacitet dhe diçka që mund të ofrojë si shtet përveç mbështetjes kombëtare dhe bashkëpunimit të gjithëmbarshëm. Qeveria po bënë punën e vet suksesshëm në fushën e sigurisë duke nënkuptuar performacën cilësore të policisë dhe vigjilencën e shtuar të institucioneve të tjera. Prandaj në këtë aspekt rezultatet në teren po tregojnë se është në rregull sa i përket punës dhe kryerjes së detyrave të sistemit të sigurisë”, tha Çollaku.