Lajme

Edhe dy gazetare nga Ukraina mbërrijnë në Kosovë

Gazetare nga Ukraina në aeroportin ndërkombëtar t♪7 Prishtinës "Adem Jashari"

Kanë mbërritur në Kosovë edhe dy gazetare nga Ukraina, Maryna Zhyvotkova dhe Viktoriia Kaidash.

Ato mbërritën mesditën e së hënës në Aeroprotin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Në kuadër të këtij programi, gazetarët që janë detyruar të ikin nga Ukraina përfitojnë pagë mujore, pagesën e qerasë dhe sigurim shëndetësor”, njofton Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Deri më tani në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo” janë strehuar katër gazetare nga Ukraina.

Lexo edhe:
RTK ofron katër vende pune për gazetarët nga Ukraina

Theksojmë se Radio Televizioni i Kosovës ka ofruar katër vende pune për gazetarët nga Ukraina.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur të shtunën më 16 prill 2022 nga Bordi i RTK-së.

“Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina, në koordinim me Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Bordi dhe Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të shtunën me datë 16 prill 2022, kanë vendosur të ofrojnë hapësirat e transmetuesit publik (zyra, tavolina, qasje në internet dhe të gjitha pajisjet përkatëse të punës) për katër gazetarë nga Ukraina”, thuhet në njoftimin e RTK-së.

RTK ka planifikuar t’u ofrojë akomodim në hapësira të punës deri në gjashtë muaj katër gazetarëve ukrainas, të cilët u detyruan të largohen nga vendi i tyre pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Programi ‘Gazetarët në Rezidencë në Kosovë’ është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë.  

Ky program ofron pagë mujore, akomodim, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Më 17 prill në vend erdhi gazetarja e parë ukrainase Lyudmila Makey./Shqip.com