Sport Shqiptar

E ardhmja e boksit kosovar në duar të sigurta – Taulant Jakupi me medalje në Evropian

Taulant Jakupi

Është një nga sportet më të vrazhda dhe të rrezikshme në botë.

Për këtë, boksi kërkon edhe guxim, pasion dhe përkushtimin.

Këto veçori i ka edhe boksieri i talentuar i Kosovës, Taulant Jakupi.

Ai përfaqësoi Kosovën në Kampionatin Evropian të Boksit për të Rinjtë, së bashku me dy boksierë dhe një boksiere, duke i siguruar Kosovës dy medalje.

Jakupi pati paraqitje dinjitoze në kampionatin e mbajtur në Bullgari që përfshiu më shumë se 40 shtete, duke dalë me medaljen e bronzit.

Për Shqip.com, ai ka rrëfyer se “ka qenë eksperiencë shumë e mirë, që më ka bërë të ndihem krenar që kam përfaqësuar vendin tim. Por, është një presion ekstra të përfaqësosh Kosovën”, tha fillimisht ai.

Boksieri kosovar mposhti përfaqësuesin e Armenisë në çerekfinale, ndaj të cilit doli triumfues pas rundit të tretë.

Taulant Jakupi pas fitores

“Jam kualifikuar për meçin çerekfinale kundër përfaqësuesit të Armenisë. Ishte një kundërshtar me shumë përvojë, dhe nuk ka qenë e lehtë. Lufta ka shkuar deri në rundin e fundit, në rundin e tretë ku edhe korra fitore”, tha talenti.

Taulanti është pjesë e klubit “Sport Center Gjakova”, kryetari i të cilit, Halil Kurhasku, ka folur po ashtu për Shqip.com.

Ai i ka quajtur sukses të madh medaljet e marra në këtë kampionat, duke pasur parasysh konkurrencën e madhe.

“Konkurrenca ka qenë shumë e madhe, pasi 40 shtete kanë marrë pjesë dhe vetëm gjysma e tyre kanë përfunduar me medalje. Ky është sukses për Kosovën që me katër garues, nga 402 në total sa ishin, siguroi dy medalje”, tha Halili.

Kryetari i klubit “Sport Center Gjakova”, Halil Kurhasku

Suksesin e bën të veçantë edhe niveli inferior i kushteve të shtetit tonë në krahasim me shtetet evropiane.

“Në Kampionat Evropian, çdo shtet i dërgon më të mirët dhe nëse i krahasojmë kushtet në Kosovë me disa shtete evropiane – kanë dallim si nata me ditën”, u shpreh ai.

Kurhasku është njëkohësisht anëtar i Bordit të FBOXK-së dhe tregoi se zhvillimet e këtij sporti do të jenë pjesë e planëve të Federatës dhe të Ministrisë.

“Ne jemi duke e dhënë maksimumin. Këtë vit buxheti është më i mirë, dhe besoj se pjesëmarrja në këso gara do të jetë më e madhe. Natyrisht, suksesi do të jetë më i madh”, shtoi ai.

Në këtë eveniment, kishte edhe pjesëmarrës të shteteve që nuk e njohin Kosovën, por marrëdhëniet me ato shtete ishin në suaza sportive.

Taulant Jakupi

Këtë e thotë medalisti Jakupi që tregon për pritjen e mirë.

“Po, natyrisht se kemi pasur kontakt me ta [përfaqësues të Serbisë]. Jemi përshëndetur me ta në mënyrë krejt sportive. Pritja në Bullgari ka qenë e mirë dhe çdo gjë ka shkuar me rregull”, tha ai.

Edhe pse humbi në gjysmëfinale, Jakupi tha se ndihet tejet krenar me arritjet e tij dhe se është përgatitur maksimalisht.

“Dje jam stolisur me medalje ku për mua ka qenë një ndjenjë e madhe krenarie, pasi të fitosh medalje për vendin tënd nuk është pak. Duke pasur parasysh edhe përgatitjet dhe stërvitjet e gjata dhe të lodhshme me trajnerët, të cilët i falënderoj shumë”.

Për fund, Taulanti dha edhe një porosi për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës.

“I bëj thirrje që të gjithë të rinjve që të merren me çfarëdo sporti dhe të mos dorëzohen deri sa të arrijnë qëllimet e tyre”, përfundoi ai.

Boksierët që përfaqësuan Kosovën në Kampionatin Evropian të Boksit për të Rinj

Në këtë kampionat morën pjesë edhe Dior Berisha nga klubi i boksit “Prizreni”, Alnera Braimi nga “Gollaku” nga Prishtina dhe Donat Syla – i cili po ashtu fitoi të bronztën – nga klubi “Gjilani”.

Kampionati Evropian nisi më 12 prill dhe përfundoi me datën 22 prill./Shqip.com

/Donat Haziri