Lajme

Dyshohet se i vunë zjarrin Gjykatës në Kaçanik, aprovohet paraburgimi për 3 të miturit

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të miturve, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale zjarrvënia nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, me qëllim të dëmtimit me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ashtu që pas planifikimit paraprak, përmes shkallëve emergjente depërtojnë në katin e dytë ku me shishe hedhin benzinë në dy zyre të gjyqtarëve penalist dhe në korridor, pastaj nga shkallët emergjente ndezin zjarrin, ku për pasojë shpërthen zjarri dhe dy zyrat e gjyqtarëve dëmtohen tërësisht e po ashtu edhe korridori, kurse të dyshuarit tjerë bëjnë roje përreth gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të dyshuarve të mitur e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

/Shqip.com