Lajme

Dyshimet për neglizhencë të stafit mjekësor gjatë një lindje në Pejë – flasin nga Prokuroria

Prokuroria Themelore në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë

Një foshnjë ka vdekur gjatë lindjes në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, me ç’rast prindi i saj ka dyshuar në neglizhencën e stafit mjekësor.

Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Pejë kanë nisur procedurat hetimore.

Kjo është bërë e ditur për Shqip.com nga zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

“Ajo se çfarë mund të them është se prokurorja e krimeve të rënda ka autorizuar Policinë e Kosovës që të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. E po ashtu mund të iu informoj se trupi i pajetë i viktimës, në këtë rast i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore  për Obduksion për t’i kuptuar rrethanat që ka vdekur foshnja”, tha Nikçi

Po ashtu, lidhur me këtë rast kishte raportuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

“Rr. Nënë Tereza, Pejë 08.03.2023 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se në Spitalin e Pejës gjatë lindjes,  foshnja  ka vdekur dhe sipas ankuesit (babai) dyshon që ka qenë neglizhencë e stafit mjekësor”, thuhet në njoftimin e PK-së.

/Shqip.com