Lajme

Dyshimet për helmim nga uji në Han të Elezit, MSh-ja: Ndihmë kanë kërkuar 200 qytetarë

Përfaqësuesit e MSH-së në Han të Elezit

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se si pasojë e dyshimeve për helmim nga uji, 200 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Gjatë ditës së sotme zëvendësministri Arsim Berisha, ka qëndruar në Hanin e Elezit.

Ai tha se kjo komunë është ndihmuar me barëra dhe me materiale të tjera të nevojshme.

Berisha theksoi se ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit.

“MSh dhe SHSKUK kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente.Ekipet e IKSHPK-së ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit”, tha Berisha.

Theksojmë se 190 qytetarët të komunës së Hanit të Elezit që nga e diela kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e kësaj komune si pasojë e një helmimi, e që dyshohet të ketë ardhur nga uji i pijes.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë, Kimete Kuka tha për SHQIP.com së pjesa më e madhe e tyre janë nga fshati Gorancë.

“Që nga data 10 korrik kanë filluar rastet e para diku rreth orës 12:00 pasdite, mirëpo fluksi më i madhe ka qenë në orën 16:00 dhe deri sot në orën 8:00 i kemi 190 raste. Kryesitë janë të njëjtit fshatë, banorë të fshatit Goranë”, ka thënë ajo.

Lexo edhe:
Dyshimet për helmim nga uji i pijes në Han të Elezit e Kaçanik, Ministria njofton për barnat që ka dërguar

Ndryshe me një situatë të tillë ishte përballur edhe Komuna e Deçanit në korrik të vitit 2021, ku mbi 1500 qytetarë në QKMF në Deçan kishin kërkuar ndihmën mjekësore e në mesin e tyre edhe 51 fëmijë.

Ndërsa, komuna e Deçanit kishte shpallur gjendjen emergjente për shkak të helmimeve.

Dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijes.

Pas analizave të bëra në ujin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” janë gjetur disa baktere.

Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini”./SHQIP.com