Lajme

Dy fëmijë të lënduar si pasojë e erërave të forta në Podujevë

Dy fëmijë janë lënduar gjatë së enjtes në Podujevë, pasi erëra të forta kanë rrëzuar pjesën ballore të një skene të ngritur për shënimin e aktiviteteve për “Javën e Diasporës”, në sheshin “Katër Dëshmorët” në këtë qytet, njofton Shqip.com.

Lajmi e ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka njoftuar se viktimat kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

“Fëmijët gjatë marrjes së shërbimit mjekësor i kanë vizituar, Drejtori i Shëndetësisë̈, Driton Veliu dhe Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, të cilët nga ekipet mjekësore janë njoftuar se gjendja shëndetësore e fëmijëve është e mirë. Fëmijëve të lënduar iu uroj shërim të shpejtë!”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Ndryshe, erëra të fuqishme janë paralajmëruar për të enjten në Kosovë. Përveç në Podujevë, dëme materiale janë shkaktuar edhe në Pejë./SHQIP.com