Sport Shqiptar

Duka flet për median italiane: Të gjithë shqiptarët duan të jenë në Dortmund

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “La Politica del pallone” dhe fokusi ishte te përballja me kampionët e Europës në fuqi, Europiani në vetvete, e për të kaluar më pas edhe te ndryshimet e bëra në Shqipëri në infrastrukturë.

“Për ne është një sukses i madh të jemi në “Euro2024”. Ia dolëm shumë mirë në kualifikuese, dolëm të parët në grup. Tani shorti na vendosi kundër Spanjës, Kroacisë dhe Italisë. Me të vërtetë nuk donim të luanim kundër Italisë, pasi siç e thatë edhe ju me Italinë kemi raporte të mira edhe në futboll, jo vetëm në politikë. Shumë të rinj shqiptarë luajnë në Itali, madje nëse nuk e dini luajnë po aq fëmijë shqiptarë sa në Shqipëri”, shprehet fillimisht presidenti Duka, i cili më pas vijoi të fliste për duelin me Italinë.

“Ne kemi marrëdhënie të mira, por do të jemi kundërshtarë, edhe pse vetëm për 90 minuta. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën kundër kampionëve në fuqi të Europës. Ne e dimë forcën e Italisë, të lojtarëve, të skuadrës, por ne dhe ne kemi ardhur këtu pa na dhuruar asgjë askush. Kemi fituar grupin tonë dhe do të bëjmë më të mirën për ta përballuar këtë ndeshje”, shtoi kreu i FSHF-së.

I pyetur, nëse përballja me Italinë është si një finale Botërori për Shqipërinë, Duka shtoi: “Të gjitha ndeshjet në Europian janë të vështira. Lojtarët tanë duhet ta luajnë këtë ndeshje si gjithë të tjerat, sikurse ndaj Polonisë dhe Çekisë në kualifikuese. Duhet ta luajmë përballjen ndaj Italisë si një ndeshje normale. Sigurisht është ndeshje e rëndësishme, pasi nëse bëjmë mirë mund të ecim përpara në Europian. Nëse jo, duhet të shohim ndeshjet me Kroacinë dhe Spanjën. Të luash përballë kampionëve të Europës është gjë e bukur. Problemi i vetëm është se të gjithë shqiptarët duan bileta për atë ndeshje. Shpresoj që tifozët të krijojnë një atmosferë pozitive, sikurse kemi bërë në miqësoren që kemi zhvilluar Xhenoa”.

“Të mundesh Italinë është diçka shumë e vështirë, shumë e vështirë, por ne do ta provojmë ta bëjmë. Do e luajmë si një ndeshje normale. Po luajtëm pa presion, do jetë më e lehtë për ne. Italia është një skuadër me eksperiencë, me lojtarë të mirë, janë kampionët në fuqi të Europës, por vuajtën pak në kualifikuese”.

/Shqip.com