Lajme

“Duart i kemi me baltë por ndërgjegjen e pastër”- përplasja Kurti e Haradinaj në Kuvend

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e sotme të Kuvendit, e pyeti kryeministrin Albin Kurti pse po i ndryshon qëndrimet tani që është në pushtet.

Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë për energjinë në Bruksel, Haradinaj duke iu drejtuar Kurtit tha se “këtu të kuptoj”, por e luti të njëjtin që si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje t’i kursejë deputetët nga pyetjet “pse tash”, ose “pse vetëm tash po paguajnë rrymë serbët në veri”.

“Na kurseni se nuk ua kemi me borxh. Dilema ime është kjo, pse kur të tjerët jetojnë në realitet në minimum për me nxjerr maksimumim para jush, është tradhti kombëtare e pse në rastin e juaj kur ndodh, kjo është e drejtë. Dhe, e kam një pyetje për fund çka do të ndodh me Valaqin? Pra, me stacionin?”, e pyeti ai kryeministrin.

E ky i fundit në replikën e tij tha se Qeveria e tanishme i ka të përlyera duart me baltë, pasi ashtu e kanë gjetur Kosovën.

Lexo edhe:
Arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për energji elektrike

“Unë besoj se ka qenë dëmtim i madh i sistemin elektro-energjetik në Kosovë privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit. Nuk do ta kisha bërë kurrë, por tash s’kam qare pa bashkëpunuar me ta. Sepse mund të bëhet edhe shumë më keq”.

“Në Kosovë e dini shumë mirë që keni fshatra të shndërruara në komuna për shkak të përkatësisë etnike. Ngjashëm edhe sa i përket çështjes së energjisë. E kemi të trashëguar këtë gjendje ku po e bëjmë më të mirën e mundshme”.

Energjia elektrike

“A ka qenë ndonjë marrëveshje në të kaluarën tradhti? Po, ka qenë. A i kemi duart e përlyera me baltë? Po, i kemi sepse Kosovën e kemi gjetur në baltë, por ndërgjegjen e kemi të pastër”, deklaroi Kurti. 

Theksojmë se në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë mbi energjinë në veri të vendit.

Ndërsa, ka dështuar zgjedhja e anëtarit të Komisionit të Pavarur për Media, kjo pasi dy kandidatet nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme nga deputetët.

Në proces të votimit të fshehtë morën pjesë 91 deputetë, ku 42 fletëvotime ishin të pavlefshme. Kandidatja Violeta Hyseni Kelmendi mori 20 vota, ndërsa Teuta Hoxha Morina mori 29 vota./Shqip.com