Lajme

Droga e gjetur në Shirokë arrin vlerën prej 1.5 milionë euro

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona dhe kanë konfiskuar 31 kilogramë narkotikë të llojit “marihuanë” në aksionin e zhvilluar në fshatin Shirokë të Suharekës.

Drejtori i Njësitit Anti-Drogë Reshat Murseli,  në konferencën për media deklaroi se vlera e drogës në treg mund të arrinte në mbi 1 milion e gjysmë.

“32 kilogramë marihuanë janë gjetur në procesin e tharjes në momentin e bastistjes, ndërsa janë gjetur edhe 2 mijë e 59 bimë të llojit “cannabis sativa” të cilët janë në procesin e rritjes nga 80 centimetra deri në 2 metra. Po të ktheheshin në peshën e përpunimit do të arrinin peshën e së paku 800 kilogramë ndërsa vlera e tregut të tyre do të arrinte në mbi 1 milion e gjysmë”.

Ilustrim

Ndërsa, prokurorja e rastit Arjana Shajkovci tha se katër nga të arrestuarit janë nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Kosova.

“Janë gjashtë persona të arrestuar. Katër persona janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy janë shtetas të Republikës së Kosovës. 32 kilogramë drogë të llojit “Marihuanë”, 2 mijë e 59 bimë të mbjellura në saksi që janë konfiskuar dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura për shitje”, tha Shajkovci.

Një operacion i të njëjtës natyrë ishte realizuar ditë më parë nga Policia e Kosovës në fshatin Konushefc të Podujevës.

Policia kishte konfiskuar mbi 90 kilogramë narkotikë të llojit marihuanë.

Gjatë aksionit ishte arrestuar një person kurse tre të tjerë janë ende në kërkim./Shqip.com