Sport Shqiptar

Drita – Llapi: Përballje e krenarisë në fushë dhe tribina

Drita - Llapi

Dita e enjte e 26 majit do të jetë historike për njërën nga dy klubet.

Drita përballet me Llapin në finalen e Kupës së Kosovës, me fillim nga ora 20:00.

Koloseumi i legjendës së futbollit kosovar, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë terreni i sontëm.

Ekipet respektive tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen në garat europiane dhe luajnë për krenari.

Llapi – Drita

Gjilanasit, që nuk dijnë të prekin këtë trofe qysh nga viti 2001, hyjnë në fushë me shpresën që ta thyejnë ‘mallkimin’ ashtu si në vitin 2018 kur fituan Superligën pas 15 vitesh pritjeje.

Llapjanët nga ana tjetër, kanë kujtime të freskëta në këtë kompeticion, pasi e ngritën trofeun vitin e kaluar.

Në konferencën e djeshme, të dy trajnerët u shprehën optimistë rreth duelit, duka proklamuar se ekipet e tyre janë diç më të mira dhe se hyjnë vetëm për fitore.

Trajnerët: Ardian Nuhui (Drita) dhe Tahir Batatina (Llapi)

Në arsenalin e trajnerit Tahir Batatina, më të rrezikshmit pa dyshim do të jenë Valmir Veliu që di të destabilizojë mbrojtjet kundërshtare me shpërthimet sprint në zonë të rrezikshme, si dhe Arbnor Ramadani.

Ky i fundit, që vie nga Gjilani, ani pse e kishte nisur karrierën te Drita, sot do të ‘luftojë’ kundër klubit të tij të femijërisë.

Arbnor Ramadani, foto: KF Llapi

Kurse, opsionet e teknikut shkupjan Ardian Nuhiu, janë më se të rrezikshme për gardianin Avdyli.

Më kërcënuesit para tij do të jenë Marko Simonovski që përparësi ka përcjelljen e harkimeve në zonë, si dhe mesfushori Hamdi Namani, që për ironi është llapjan dhe ishte pjesë e tyre para se të transferohej te kampioni i trefishtë i Kosovës.

Marko Simonovski, foto: FC Drita

Përballje e tribunave

Pos fushës së blertë, rivalitet të madh pritet të ketë edhe në ulëset e stadiumit.

“Intelektualët” dhe “Legjendat” do të kenë njëri tjetrin përballë gjatë 90 minutave po ashtu.

Të dyja tifogrupet kishin paralajmëruar organizime masive me autobusë dhe automjete private.

Intelektualët dhe Legjendat

Madje, sipas burimeve të Shqip.com, ultrasit gjilanas do të përgatisin një koreogravi të veçantë për ndeshjen e sontme.

Pjesa veriore e stadiumit, përkatësisht sektori ‘V1, V2’ dhe ‘V3’ do t’u takojë “Intelektualëve”, kurse pjesa jugore (J1, J2 dhe J3) “Legjendave”.

Historik i shkurtër

Turneu i Kupës së Kosovës u fitua për herë të parë nga KF Vëllaznimi (Gjakovë) në sezonin 1984/85, kur atëbotë organizohej nën Federatën Jugosllave.

Fituesi më i shpeshtë i Kupës është KF Prishtina me pesë sosh.

Trofeu i Kupës së Kosovës, i cili mban akoma formatin e vjetër për shkak të historisë

Fituesi i parë i pasluftës, koha e administrimit të shtetit nga UNMIK-u, është SC Gjilani në vitin 2000.

Turneu nuk është mbajtur në dy edicione, në atë të vitit 1997/98 dhe 1998/1999, kur edhe ishte kohë lufte.

Ndërsa, sezoni 1996/1997 karakterizohet me mosmbajtjen e finales, ku do të takoheshin KF 2 Korriku dhe KF Drita. /Shqip.com