Ekonomi

Drejtuesit e BQK-së dhe AKK-së diskutojnë për çështje të konkurrencës në sektorin financiar

Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bashkim Nurboja dhe U.D, Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Nexhat Kryeziu, kanë pritur në takim Kryetaren e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi dhe U.D, Drejtorin e Përgjithshëm, Selajdin Beqa.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në mes dy institucioneve me qëllim të koordinimit të politikave, bazuar në implementimin e legjislacionit.

U.D, Guvernatori Bashkim Nurboja me këtë rast ka potencuar se BQK-ja, ka për qëllim mbrojtjen e konkurrencës, gjithnjë në frymën e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve dhe shprehu interesimin që bashkëpunimi mes BQK-së dhe AKK-së të avancojë edhe më tutje.

Në këtë takim U.D. Guvernatori Nurboja ka kërkuar që Autoriteti i Konkurrencës të shikojë rastet, ku kemi ankesa nga institucionet financiare jobankare për kufizimin e aktivitetit ekonomik, që po iu shkaktohet nga disa banka.

Mbyllja e xhirollogarive në mënyrë të njëanshme të institucioneve financiare jobankare nga ana e disa bankave nuk është praktikë e mirë, e sidomos kur nuk ka arsyetime të mjaftueshme.

/Shqip.com