Kulturë Kino

Drama në Kosovë, mes klasikes dhe modernes

Drama në Kosovë, mes klasikes dhe modernes. Ilustrim
Drama në Kosovë, mes klasikes dhe modernes. Ilustrim

Drama, si gjini e letërsisë artistike, e pasqyron jetën përmes veprimit skenik të personazheve, të dialogëve dhe të monologëve të tyre. Në gjininë dramatike përfshihen ato vepra, të cilat shkruhen me qëllim që të vihen në skenë dhe të interpretojnë aktorët. Dramë, sipas greqishtes, do të thotë “veprim” e cila pos epikës dhe lirikës është shtylla e tretë e letërsisë. Në këtë kontekst, drama është teatër i shprehur me fjalë.
Pra, drama është një nga gjinitë kryesore të letërsisë artistike. E, në raport me gjinitë e tjera të letërsisë, dramaturgët dhe profesorët universitarë e shohin në një pozicion inferior!

Kur them kështu, kam parasysh, e pakta aspektin kuantitativ, mos të them statistikor – edhe më tutje, si edhe gjatë zhvillimit të letërsisë shqiptare pas Luftës së Dytë të Botërore, ka më pak drama të botuara krahasuar me numrin e titujve të librave të botuar me poezi, të tregimeve e të romaneve! Sigurisht se drama, qoftë pse është gjinia më e vështirë, qoftë për shkak të lidhjes së pashmangshme me teatrin, është më komplekse, më shumëdimensionale, më multimediale, më e shtrenjtë se sa gjinitë e tjera dhe, rrjedhimisht, të gjitha këto komponentë bëjnë që drama e, rrjedhimisht, edhe teatri, të jenë disi në një pozitë inferiore”, ka thënë Besim Rexhaj – dramaturg dhe profesor në Akademinë e Arteve në Prishtinë, për mediumin Shqip.com.

Besim Rexhaj – dramaturg dhe profesor në Akademinë e Arteve në Prishtinë

E, bazuar në rrethanat historike të zhvillimet e letërsisë shqiptare, në Kosovë dhe jashtë saj, drama, si gjini e mëvetësishme letrare, është shkruar pak, dhe ngjashëm, vazhdon të shkruhet pak dhe rrallë në krahasim me gjinitë tjera letrare.

Në vlerësimin tim, ka disa arsye pse kjo gjini e rrallë letrare kultivohet pak. E para, ka të bëjë me mungesën e gjatë të një tradite të shkrimit dhe inskenimit të dramës shqipe, dhe së dyti, kjo lidhet me kushtet dhe rrethanat shoqërore, kulturore e politike, që nuk e kanë favorizuar shumë këtë gjini letrare. Po ashtu, kësaj duhet shtuar edhe faktin që një pjesë e konsiderueshme e krijuesve të letërsisë te ne, para se dramën, zgjedhin si preferencë gjinitë e tjera të letërsisë, kryesisht poezinë dhe prozën. Megjithatë, nga pikëpamja personale, vlerësoj se është inkurajues fakti që në Kosovë, viteve të fundit, për dallim ta zëmë me Shqipërinë, përditë e më shumë po krijohet një brez i ri i shkrimtarëve të dramës, të cilët, falë edhe formimit të tyre akademik në Fakultetin e Arteve në UP, po arrijnë që të shquhen si emra të suksesshëm në botën teatrore, brenda dhe jashtë vendit. Kështu, me kalimin e kohës, drama shqipe po shtohet në sasi, por edhe po sofistikohet në cilësi. Pra, ka shpresë për një të ardhme të saj më të mirë”, ka thënë Arian Krasniqi – dramaturg dhe profesor universitar, për mediumin Shqip.com.

Arian Krasniqi – dramaturg dhe profesor universitar në Prishtinë

Raportin e dramës me teatrin, dramaturgu i njohur Rexhaj, e sheh si ata binjakët siamezë, zhvillimi, frustrimi ose margjinalizimi, qoftë i teatrit, qoftë i dramës, ndodhen në raporte komplekse, raporte të cilat reflektojnë pashmangshëm njëri në tjetrin.

Teatri, duke qenë shtëpie e njëmend e dramës, aty ku drama e bënë jetën e saj të plotë, nuk mund të ekzistojë pa dramën e cila, vetiu komplekse, frustrohet apo zhvillohet kurdo që zhvillohet apo frustrohet drama dhe autorët e saj. Një teatër, të cilit nuk i kushtohet vëmendja e duhur nga institucionet kulturore e shtetërore, qoftë në planin e politikave menaxheriale e përzgjedhëse të udhëheqësve, qoftë kur nuk i kushtohet kujdesi i duhura financiar, një teatër i cili është shoqëruar, në mënyrë kronike nga një vakuum menaxherial siç është Teatri Kombëtar, po edhe teatrot profesionale të qyteteve tona, të cilave iu mungojnë mjetet themelore financiare për një jetë teatrore të denjë artistike dhe të cilat, po ashtu, jo rrallë janë shoqëruar me defekte në politikat e repertoarit e të përzgjedhjes, të gjitha këto së bashku flasin për një situatë sociokulturore, e cila raportin kompleks të teatrit me dramën e vështirëson dhe e bënë të rëndë, pothuajse jofunksional!”, ka thënë tutje Rexhaj.

Ndryshe, dramaturgu Krasniqi ka thënë se teksti dramatik, që në gjenezën e vet, ka dhe duhet të ketë një lidhje më të natyrshme dhe të pashkëputshme me teatrin.

Drama është gjinia e vetme letrare, që i dedikohet një medium shfaqës siç është teatri. Prandaj, dramën duhet parë, gjithmonë dhe gjithnjë, jo vetëm si vepër letrar, por si një krijim artistik, që “ciklin e vet jetësor” e përmbyll vetëm atëherë kur vihet në skenë. Sa më shpesh e më gjatë aq më mirë. Në botën tonë artistike ekziston një mendim, që e mbron idenë se një tekst dramatik, për t’u sprovuar për vlerat e saj artistike, së pari duhet të vihet në skenë e pastaj të botohet. Por, megjithatë, unë mendoj se botimi i dramës, edhe para vënies në skenë, i hapë shtigje dhe mundësi më të mëdha drejt skenës”, ka thënë Krasniqi.

Drama në Kosovë, mes klasikes dhe modernes. Ilustrim


Padyshim që, drama si gjini letrare është një tërësi komplekse, që sipas profesor Rexhajt, elementet përbërëse të së cilës janë, në një mënyrë, të pandashme!

Drama, drama autentike, sipas vizionit tim, e gjakon pushtimin dramaturgjik e estetik të pulsit të kohës, të ngjyra të kohës e të shoqërisë, të atyre toneve karakteristike të kohës, të asaj që i thonë aktualitet dhe frymë e aktuales, në të njëjtën kohë duke mos u bërë rob i parullave të ditës, i modës dhe i kulteve të paqëndrueshme, i koketimit me figura e personalitete ditore, por duke marrë qëndrim kritik, qëndrim i cili mbështetet mbi vlerat e përhershme humane dhe universale! Natyrisht, e gjithë kjo pashmangshëm duhet të mbështetet si realizim në ligjësitë dramaturgjike e teatrore, në një perceptim dhe artikulim estetik të jetës!, ka thënë Rexhaj.

E, dramaturgu Arian Krasniqi, dramën shqipe, sidomos atë që po shkruhet te ne viteve të fundit, e pëlqen ta quan si “drama e re shqipe në Kosovë”, që sipas tij, ka potencial për t’u zhvilluar në shumë dimensione tematike, artistike dhe estetike.

Në këtë kuptim, mendoj se elementi kryesor, që mund të jetë shenjues i përfaqësimit të dramës sonë brenda dhe jashtë vendit, është autenticiteti dhe origjinaliteti ideor dhe tematik i saj. Po ashtu, te dramaturgjia e re në Kosovë, vërehet qartazi një prirje për forma dhe stile bashkëkohore të shkrimit të dramës, çka e bëjnë dramaturgjinë tonë të ketë kahje dhe premisa shpresëdhënëse”, ka thënë Krasniqi.

Drama, sipas dramaturgut dhe profesorit universitar, Besim Rexhaj, do të duhej të banonte në piedestalin e letërsisë e të kulturës kombëtare, në katet e sipërme – aty të bënte një jetë të denjë artistike dhe t’i përgjigjej në mënyrë të mirëfilltë nevojave artistike të kohës!

Drama në Kosovë, mes klasikes dhe modernes. Ilustrim


Nuk ka art tjetër, i cili, pikërisht për shkak të natyrës multidimensionale, mund t’i bëjë jehonë më shumë, më mirë dhe më fuqishëm kërkesave, nevojave dhe frymës së kohës sa mund ta bëjë këtë drama, drama e realizuar në shtëpinë e saj, në teatër. Pikërisht për këtë arsye drama e teatri, për shkak të ndikimit jashtëzakonisht të fuqishëm mbi shoqërinë, siç e thonë në mënyrë konsensuale estetët dhe kulturologët, ka qenë arti i cili më së shumti i është ekspozuar censurës e, në shtetet totalitare, edhe autocensurës së (pa)vetëdijshme! Sot, jo vetëm këtu në këtë nënqiellin tonë, në kohën e komercializimit të skajshëm të artit, një mënyrë e censurimit të artit dramatik e teatror është mungesa e financimit adekuat, degradimi dhe, rrjedhimisht, margjinalizimi i teatrit dhe i dramës. Një art, të cilit i hidhet një asht, është, pashmangshëm, një art i cili gjallon në margjina të shoqërisë, sa për të mbijetuar! Në piramidën kulturore e artistike të shoqërisë sonë, e cila në mënyrë kronike po vuan nga çrregullimi i sistemit të vlerave, vendi i teatrit dhe i dramës as përafërsisht nuk është në pozitën e duhur e as meritore, nuk është as në katet e sipërme e as në ato të mesme, por diku poshtë, të mos them në bodrume!”, ka thënë Rexhaj.

Sigurisht që, vendi meritor i dramës është skena e teatrit. Dramaturgu Krasniqi, mendon se do të duhej të gjenden mekanizma shtesë që të mbështet edhe më shumë shkrimi dhe inskenimi i dramave shqipe.

Shkrimtarët tanë duhet të “provokohen” për ta kultivuar edhe gjininë e dramës, nëse ata e shohin si shans dhe mundësi që drama e tyre, herët a vonë, do të shfaqet para një audience, në ndonjërën prej skenave të teatrove, brenda apo jashtë vendit. Njëkohësisht, mendoj se edhe drejtuesit artistikë të teatrove të qytetit, e veçmas edhe të Teatrit Kombëtar, duhet ta kenë gjithnjë në konsideratë faktin që dramaturgjinë tonë kombëtare ne mund ta ndihmojmë dhe ta avancojmë drejt një suksesi më të madh, vetëm në rast se asaj i japim shans dhe mundësi inskenimi. Në të kundërtën, drama do të vazhdojë të shkruhet rrallë dhe do të botohet për lexim, si gjini letrare, por në rast se nuk do të inskenohet, ajo ka rrezik të përfundojë brenda kopertinave, si libër, në ndonjë prej kthinave të librarive të kryeqytetit tonë”, ka thënë Krasniqi.

Drama në Kosovë, mes klasikes dhe modernes. Ilustrim

Ndryshe, rreth një kritike të mirëfilltë për teatrin dhe funksionon e saj, profesori Rexhaj, shprehet i indinjuar, dhe njëherësh shtron pyetej se si mund të funksionojë kritika teatrore në ambientin tonë kulturor, kur as dramës e as teatrit nuk i kushtohet as përafërsisht vëmendja e duhur?!

Si rezultat i kësaj dhe, po ashtu, në këtë kontekst, edhe si rezultat i çrregullimit të sistemit të vlerave, po i thellon rrënjët ajo sëmundja e çrregullimit të shijes e të vetëdijes artistike, teatrore dhe, nuk është çudi, që jo rrallë vlerat e dyshimta duartrokiten e stimulohen, kurse ato pak vlera të njëmendta artistike e teatrore margjinalizohen e destimulohen!”, ka thënë në fund Rexhaj, për mediumin Shqip.com.

Të njëjtin mendim e ndan edhe dramaturgu Arian Krasniqi. Sipas tij, pika më e dobët në zhvillimin, stimulimin dhe promovimin e dramës shqipe në Kosovë është, pikërisht, mungesa e një kritike profesionale për dramën dhe teatrin. “Realisht, në rrethanat aktuale, në vendin tonë, shumë pak shkruhet për botimet e teksteve dramatike, si dhe për shfaqjet teatrore, që inskenohen në teatrot e vendit tonë. Vazhdoj të besoj se një kritikë profesionale dhe kompetente për dramë dhe teatër do ta ndihmonte jashtëzakonisht shumë dramën shqipe dhe teatrin te ne, në zhvillimin, konsolidimin dhe promovimin e saj. Nëse tani mund të themi se kemi një brez të ri dramaturgësh të suksesshëm, të njëjtën gjë nuk mund ta themi për kritikën teatrore te ne. Kritika, në rastin tonë, është pasqyra ku drama shqipe dhe teatri ynë në përgjithësi, do ta shihte veten në përmasa të vlerave reale, pa glorifikime e hiperbolizime, pa vetëlavdërime, por edhe pa mohime paragjykuese e nihilizma qëllimore”, ka thënë në fund Krasniqi, për mediumin Shqip.com.

Megjithatë, drama ka qenë dhe vazhdon të jetë art i preferuar i shumë regjisorëve, skenaristëve dhe dramaturgëve. Dhe, ajo çka është qenësore, në këtë kontekst, drama do të duhej të jetë me afërt me audiencën e cila medoemos nuk duhet do ta braktisë asnjëherë.

/Shqip.com