Lajme

Draft-statuti i BE për asociacionin, Rama: Krenar për kontributin e Shqipërisë – do vizitoj Prishtinën

“Drafti i pranuar nga Kosova dhe Serbia për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve është i Bashkimit Europian”.

Kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale teksa përshëndet draft-statutin për asociacionin.

Kreu i qeverisë shprehet krenar për kontributin konkret të Shqipërisë. Rama thekson se mbështetjen e tij do ta shprehë personalisht në një vizitë në Prishtinë, teksa thekson edhe njëherë se Shqipëria mbështet fuqishëm Kosovën në zbatimin e marrëveshjes.

Nuk mund të jem dot më krenar se kaq për kontributin e fortë dhe konkret të Shqipërisë në vazhdimësinë e procesit të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, projektstatuti i AKShM-së, që Kosova dhe Serbia kanë pranuar si dokument të përshtatshëm pune, është draft i BE-së. Shqipëria mbështet fuqimisht Kosovën për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të nxitur paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal midis të gjitha vendeve të rajonit tonë. Së shpejti, do të jem në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”, shkruan Rama në “X”.

Draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, e ka një “pikë referimi” dhe kjo është pikërisht drafti i propozuar në qershor të këtij viti nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Asokohe, Kryeministri Rama njoftoi se i kishte përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft për Asociacionin e komunave serbe, për të cilin kishte vënë në dijeni dhe presidentin e KE-së, Charles Mishel dhe palën amerikane.

Burime diplomatike në BE deklaruan se Drafti i Ramës për Asociacionin, ishte një “tekst serioz“ për Bashkimin Evropian.

Siç deklaronte Rama, drafti i propozuar prej tij ishte punuar nga ekspertët e lartë amerikanë dhe evropiane prej kohësh, në rast se dy palët Kosovë-Serbi nuk do merreshin vesh me njëra-tjetrën.

/Shqip.com