Lajme

Dorëzohet në polici personi që sulmoi tri vajza të mërkurën në Prishtinë

Ilustrim,

Personi që ka sulmuar të mërkurën tri vajza në rrugën ’Ahmet Krasniqi’ në Prishtinë është dorëzuar në stacionin policor në Rahovec.

Sipas burimeve të SHQIP.com, ai është vetëdorzuar mëngjesin e sotëm, pasi që kishte edhe raste të tjera të veprave penale dhe i njëjti kishte urdhëresë për intervistim.

Pas përfundimit të obligimeve ligjore që ka ndaj shtetit, i njëjti do të dorëzohet në përkujdesje të policisë në Prishtinë.

Ndryshe, në rrjetin social Facebook, është publikuar një video ku shihet se si ai ka sulmuar me një shkop tri vajzat.

Në video shihet se njëra nga vajzat rrëzohet në tokë, pastaj në ndihmë i vijnë të tjerat, teksa kur nis të sulmohet nga vajzat e tjera, sulmuesi largohet duke vrapuar nga vendi i ngjarjes.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se kanë identifikuar personin e dyshuar dhe se ai është në kërkim të policisë.

“Lidhur me këtë rast i cili është cilësuar “Lëndim trupor”, hetuesit policorë të stacionit qendra kanë identifikuar personin e dyshuar. I njëjti është në kërkim nga ana e policisë”, tha Ahmeti./SHQIP.com