Lajme Avokati Arbër Jashari tha për Shqip.com në rast se dorëheqja e gjyqtarëve serbë aprovohet nga KGJK-ja, ata nuk mund të kthehen në pozitat e paraprake pa ju nënshtruar fazës së rekrutimit.

Dorëheqja e serbëve, hendek në sistemin gjyqësor

Gjykata Themelore në Veri

Nëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës aprovon dorëheqjen e gjyqtarëve serb, në katër komunat veriore të vendit, do të shkaktohet hendek në sistemin e drejtësisë.

Njohësit e drejtësisë, kanë thënë për Shqip.com se një veprim i tillë, do të sjellë telashe për lëndët që janë duke u trajtuar, si dhe ato që do të vijnë më pas.

“Nëse këto dorëheqje aprovohen prej Këshillit Gjyqësor të Kosovës, atëherë nuk ka asnjë diskutim që kanë me ndiku shumë keq në lëndët që janë në trajtim e sipër, por edhe lëndët që vijnë pastaj nëpër gjykata, duke qenë se ato lëndë që janë në trajtim, do të mbesin pa gjyqtarë. Në raste të caktuara kur gjyqtarët janë individual, atëherë mund të mos ketë gjyqtarë për t’i trajtuar”, ka thënë për Shqip.com, avokati Arbër Jashari.

Sipas Jasharit, problemi qëndron edhe në ato lëndë të cilat janë duke u trajtuar nga gjyqtarë serbë dhe shqiptarë, pasi që do të ketë mungesë të trupit gjykues.

“Hendeku do të jetë shumë i madh sepse do të ketë shtyrje të lëndëve. Disa nga to, mund të mbesin dhe pastaj të vjetërsohen, krejt kjo nëse dorëheqjet aprovohen pra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”.

Ndërsa, Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se gjendjen më të vështirë tashmë e ka Gjykata Themelore në Mitrovicë.

“Kjo situatë e krijuar rrezikon edhe arritjen e afateve të caktuara ligjore, pas së cilave ka pasoja të parikuperueshme në raste të ndryshme gjyqësore. Pra, tek shumë lëndë mund të arrihet parashkrimi për shkak të mosrespektimit të afateve të caktuara ligjore”, ka thënë Mekshana.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të KGJK-së u tha se do të bëhet vlerësim i situatës së krijuar fillimisht.

Në një përgjigje me shkrim për Shqip.com nga ky institucion, thuhet se në këtë mbledhje është diskutuar edhe për propozime të nevojshme që gjykatat të funksionojnë pa ndërprerje

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, ku ka diskutuar për zhvillimet e fundit pas dorëzimit të dorëheqjeve nga disa gjyqtarë dhe punonjës mbështetës. Në këtë takim, Këshilli ka kërkuar nga kryetarët e gjykatave dhe drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, raport të detajuar, ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si autoritetet kompetente në kuadër të gjykatave të tyre, të marrin të gjitha masat dhe të japin të gjitha propozimet e nevojshme për mirë funksionimin e punës në gjykata pa ndërprerje”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për Shqip.com.

Mirëpo, edhe pse dorëheqja e gjyqtarëve ende nuk është aprovuar, sipas avokatit Jashari, ata nuk mund të kthehen në punë pa dëshirën e tyre.

“Zyrtarët e dorëhequr me zor nuk munden me u kthy në pozitat e tyre edhe nëse Këshilli Gjyqësor nuk aprovon dorëheqjet e tyre, por me shumë gjasë është duke u pritur që eventualisht mund të arrihet ndonjë marrëveshje sepse pasojat në sistemin gjyqësor janë shumë më të mëdha se sa në politik”.

KGJK mund të delegojë gjykatës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë

Sipas avokatit Jashari, KGJK-ja mund të delegojë gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, por që lëndët e saj nuk mund të barten në rajone të tjera.

“Për shkak të mungesës së gjyqtarëve, Këshilli Gjyqësor mund të delegojë ndonjë gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë mirëpo, lëndët nuk mund të bartën në rajone të tjera sepse me ligj është paraparë kompetenca territoriale dhe për të gjykuar në atë rajon është kompetencë e Gjykatës Themelore në Mitrovicë por prapë, kjo nuk është zgjidhje sepse ka mungesë të madhe të gjyqtarëve në secilën gjykatë dhe nuk mund të sanohet një problem duke krijuar një problem tjetër”, ka thënë tutje Jashari.

Por sipas hulumtuesit të KDI-së, Lavdim Makshana, kuotat e ndara për gjyqtarë serb nuk mund të zëvendësohen me gjyqtarë nga komunitete të tjera.

“Zëvendësimi do duhej të bëhej vetëm me gjyqtarë dhe prokurorë serb, e që kjo sipas gjendjes aktuale shihet si e pamundur. Kjo për shkak se me Marrëveshjen e Brukselit mes palës kosovare dhe asaj serbe, ishin përcaktuar kuotat e pozitave për komunitetin serb, prandaj këto pozita nuk mund të plotësohen me gjyqtar dhe prokurorë të komuniteteve të tjera”, tha Makshana.

Gjyqtarët e dorëhequr nuk mund të kthehen në pozitat paraprake

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një deklaratë për media ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët që dorëhiqen, nuk mund të kthehen serish në pozitat e tyre.

“Personat të cilët dorëhiqen, nuk mund të kthehen serish në sistem, për faktin se është goditje për sistemin e drejtësisë së Kosovës që një gjyqtar ose prokuror të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që i bënë Vuçiqi”, tha Haxhiu.

Avokati Jashari thotë se për t’u kthyer në pozitën paraprake, gjyqtarët serish duhet të iu nënshtrohen procesit të rekrutimit.

“Por dorëheqjet në sistemin e drejtësisë janë problem i madh pasiqë prej fillimit duhet të shkohet me procedurat e rekrutimit sepse këto procedura natyrisht që marrin shumë kohë edhe kjo mund të shkaktojë dëm të madh, pasi lëndët duhet të rindahen sërish dhe të fillojnë që nga fillimi”.

Ndërsa Makshana tregon për procedurat se si mund të bëhet zëvendësimi me gjyqtarët e rinj.

“Që dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kenë efekt juridik, sipas ligjeve në fuqi këto dorëheqje duhet të miratohen nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, dhe të njëjtat pastaj t’i dërgohen Presidentes së vendit, e cila brenda 30 ditësh nxjerr dekret për lirimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre me shkrim. Pra, ligjërisht prokurorët dhe gjyqtarët e dorëhequr tani më nuk mund të kthehen në pozitat e tyre me automatizëm, por nëse të njëjtit duan të bëhen sërish prokuror dhe gjyqtar duhet të iu nënshtrohen procedurave rekrutuese njëjtë sikurse kandidatët tjerë”.

Kurse, Jashari mendon se dorëheqjet e serbëve nga Kuvendi dhe institucionet e tjera nuk mund të krahasohen me problemin që i shkaktohet sistemit gjyqësor.

Lexo edhe:
Rreth 150 zyrtarë serb largohen nga Gjykata në Mitrovicë

Rreth 150 zyrtarë serbë kanë dhënë dorëheqje nga puna në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Kryetarja e gjyqësorit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç, ka thënë se në gjykatë kanë mbetur vetëm punonjës nga komuniteti shqiptarë.

Ndërsa, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet në Kuvendin e Kosovës – qindra zyrtarë policor serbë tashmë kanë zhveshur uniformat e tyre.

Në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe, si dhe të doganierëve.

Sipas zyrtarëve serb, bojkotimi i institucioneve të Kosovës do të vazhdojë deri në shfuqizimin e vendimit për targa dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

/Shqip.com