Lajme

Dokument: Menaxheri i HIB Petrol dyshohet se për dy vjet i paraqiti dokumente të rrejshme Doganës

HIB Petroll

Menaxheri i kompanisë së HIB Petrol, F.Xh, dyshohet se gjatë periudhës 1 janar 2019 deri me 12 mars 2022, i ka paraqitur Doganës së Kosovës dokumente të rrejshme.

Krejt kjo me qëllim të shmangies së taksave doganore.

Shqip.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, drejtuar Gjykatës Themelore, për caktimin e masës së paraburgimit në periudhë prej 30 ditësh.

“Me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, i paraqet doganës dokument të rrejshëm, dokumentet për lirimin, kinse të lëshuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë dhe kontratat e shitblerjes ndërmjet HIB Petroll me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Prishtinë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Si rrjedhojë, F.Xh dyshohet të ketë arritur shmangien e taksave në vlerë mbi 500 mijë eurove.

Dokument

“Me çka ka bërë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore, ashtu që ka shmangur pagesë për akcizë në vlerë 382 235 Euro dhe TVSH në vlerë prej 163 154.1 Euro.

“Me këtë ka kryer veprën penale Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore nga neni 312, par. 4 të KPRK-së”.

Përveç menaxherit të HIB Petrol, Dogana e Kosovës në aksionin e zhvilluar me 18 mars, ka arrestuar edhe menaxherin e Alfa Trade dhe Fer Petrol.

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovës.