Lajme

Djali i axhës së Liburn Aliut pritet të largohet nga pozita në Komunën e Preshevës, do të zëvendësohet me Branko Trajkoviq

Shpat Aliu

Është paralajmëruar shkarkimi i Shpat Aliut, zëvendës kryetarit të Kuvendit Komunal të Preshevës, për ta zgjedhur në këtë pozitë Branko Trajkoviq, që udhëheq koalicionin e partive serbe.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu ka thënë për Shqip.com, se kjo ka ardhur për shkak të ndërrimit të pushtetit në këtë komunë.

“Seanca do të mbahet me datë 11 dhe është pikë e rëndit të ditës shkarkimi i zëvendëskryetarit Shpat Aliut, dhe kjo vjen si rezultat i ndërrimit të pushtetit. Marrëveshja është që dy përfaqësues të Listës Serbe do ti bashkëngjitën pushtetit aktual dhe njëri do ta marr pozitën e zëvendëskryetarit, në këtë rast Branko Trajkoviq”, ka thënë Salihu.

Shpat Aliu, ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe i njëjti është djali i axhës së Ministrit të Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu.

Vendimi për zëvendësimin e Aliut me Trajkoviq është marrë gjatë ditës së premte.

“Zgjedhët Branko Trajkoviq nga Reka e Tërnavës, komuna e Preshevës, zgjodhët zëvendës kryetar i Kuvendit komunal të komunës së Preshevës, në mandate deri në zgjedhjet e rregullta në komunën e Preshevës”, thuhet në vendimin që mban nënshkrimin e Salihut.

Vendimi

Shqip.com ka tentuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm./Shqip.com