Art Jetese

Disa alergji të ushqimeve janë më të rrezikshme se duhani

Alergjitë e zakonshme ushqimore, të tilla si reagimet negative ndaj kikirikëve ose produkteve të caktuara të qumështit, mund të rrisin vdekshmërinë nga problemet kardiovaskulare edhe më shumë sesa pirja e duhanit.

Ky është përfundimi i një studimi të ri nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Virxhinias, raporton “Science Daily” .

Rreziku i alergjive ushqimore për shëndetin e zemrës së pacientit është i njëjtë ose më i madh se rreziqet e diabetit, presionit të lartë të gjakut ose artritit reumatoid, sipas studimit, i cili përfshiu disa mijëra subjekte.

Është zbuluar se personat, trupi i të cilëve prodhon antitrupa në përgjigje të ushqimit, por që vazhdojnë ta konsumojnë këtë ushqim, janë në rrezikun më të lartë të komplikimeve kardiovaskulare.

“Rreth 15 për qind e njerëzve, si reagim ndaj këtyre llojeve të ushqimeve, krijojnë në trup antitrupa që shkaktojnë reaksione alergjike”, thotë Jeffrey Wilson, i cili është pjesë e ekipit hulumtues.

Ai shton se nevojiten më shumë analiza, duke qenë se disa pacientë nuk kanë pasur reaksione alergjike pavarësisht se në trupin e tyre janë formuar antitrupa ndaj një lloji të caktuar ushqimi.

Ky hulumtim për herë të parë lidh qartë antitrupat që janë produkt i një reagimi ndaj ushqimit me probleme serioze të zemrës dhe është në përputhje me rezultatet e studimeve të mëparshme, të cilat tregojnë një lidhje të fortë midis inflamacionit alergjik dhe problemeve kardiovaskulare.

/Shqip.com