OP-ED Kolumne

“Diktatori” Albin Kurti karshi politikanëve që u pasuruan në kurriz të fatkeqësisë së Kosovës

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Se shoqëria jonë është në krizë të thellë morale, nuk duhejt të ndodhte rasti i përdhunimit të 11 vjeçares nga 5 meshkuj monstra për të na ilustruar. Kjo ishte veç maj e ajsbergut për të shpërfaqur më në fund të vërtetën se ky shtet po bëhet gjithnjë e më i pabanueshëm.

Për më tepër, të përfshirët në aktin monstruoz janë recidivistë, njerëz të akuzuar për dhunë, hajni, kërcënime e çka tjetër jo. Ti tillë mund të ketë në çdo skutë të Kosovës, shëtisin lirshëm me vendime të gjykatave. Raste të tilla makabre janë evidentuar edhe në të kaluarën.

Një 15 vjeçare ishte përdhunuar nga 5 djem. Gjykata i dënoi vetëm me 8 muaj burgim, ndërkohë që ligji në raste të tilla parasheh burgim deri në 10 vite. Që tragjedia të jetë edhe më e rëndë, gjyqtarja ishte vetë grua, rrjedhimisht nënë!

Sot askush nuk hulumton shkaqet e vërteta të akuzave të zbehta që përpilohen nga prokuroria karshi kriminelëve. Përgjigja mund të gjendet lehtësisht në kontot e tyre bankare! Në këto rrethana, vettingu është domosdoshmëri, por megjithatë, tani për tani, mbetet vetëm utopi.

Rrjetet kriminale janë të organizuara mirë, ato e njohin çdo punonjës të korruptuar të drejtësisë dhe janë të fuqishme mjaftueshëm që të kërcënojnë çdo zë që ngritet kundër tyre.

Ky është “përdhunimi” më shkatërrimtar që i bëhet çdo ditë njeriut të ndershëm në Kosovë, i cili zgjidhjen e vetme e sheh tek braktisja e këtij vendi ku krimineli bëhet shok me gjykatësin, e viktima përballet me pafuqinë që ia determinon pafuqia financiare.

E, kjo gjendje e rënduar ekonomike prek të gjitha shtresat në Kosovë, të gjitha profesionet. Nëse dikur u hapën universitete si minimarkete dhe të gjithë ngarendën që të pajisen me diploma, sot të “diplomuarit” janë edukuesit e brezave të ardhshëm.

Të goditur nga pandemia e cila e cungoi cilësinë në arsim, periudha post – pandemisë, e tani edhe nga grevat në arsim, fati i një fëmije përcaktohet dhunshëm që në moshë të hershme nga ata që inatet i kanë më të rëndësishme sesa të ardhmen e tyre.

Janë 100 euro shtesë të kërkuara nga sindikata e Arsimit, e të propozuara më parë nga PDK-ja opozitare ato që janë bë mollë sherri midis atyre që prodhojnë gjenerata që renditen të fundit në testin PISA dhe Qeverisë që është konsideruar si “Qeveri e shpresës”. Në këtë tragjikomedi nuk mungon as personazhi kryesor, njeriu që deklaron vet se shkollën e ka kryer me nota të falura.

Nuk mungon as zëvendësi i tij milioner që mbikëqyr financat e sindikatës dhe raportohet të ketë fshehur 300 mijë euro çdo vit nga buxheti i sindikatës.

Krejt kërkesa e tyre sindikale është reduktuar me 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të ligjit i cili parasheh ngritje të koeficientit për mësimdhënësit dhe ruajte të vendit të punës për ata që janë tepricë.

Ky është arsimi sot, gjithçka përkufizohet me para. Siç paguhej për një diplomë derisa fitohej vendi i punës ku përcaktues ishte libreza partiake. Të vetmit që nuk pësojnë janë ata që kanë para – institucionet private arsimore nuk janë pjesë e sindikatës.

E, ata që kanë para nuk kanë problem as me ligjin, as me shkollimin, as me shëndetësinë. Atyre iu pengon veç emri i Albin Kurtit që ua ka pamundësuar ta shtojnë pasurinë në kurriz të fatkeqësisë së këtij populli. Për të tillët, Albin Kurti mbetet diktator!

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com