“Dielli ka lindur përsëri” për Vëllaznimin
Nuk janë pjesë e Superligës që nga viti 2018, por ditë të mira po vijnë për KF Vëllaznimin nga Gjakova.
Kuqezinjtë që tashmë garojnë në Ligën e Parë, Grupi A, e kanë nisur kampionatin në mënyrë fenomenale dhe po japin shpresë që këtë sezon do garojnë për kreun e tabelës, shkruan Shqip.com.
Këtë kampionat, “timonin” e ekipit gjakovar e ka marrë Granit Begolli, për të cilin kjo është aventura e parë si trajner.
Në një intervistë për Shqip.com, Begolli ka folur rreth gjendjes momentale në ekip, synimet e tyre dhe shumë gjëra tjera që kanë të bëjnë me Vëllaznimin.
Ai, fillimisht tha se për të është nder dhe kënaqësi e madhe që po e drejton një klub me traditë në futbollin kosovar.
“Është një privilegj për mua të udhëheqë një nga klubet më të mëdha në Kosovë. Mendoj se e kemi nisur mjaft mirë kampionatin falë punës së palodhshme nga futbollistët. Jam shumë i kënaqur me ecurinë dhe formën momentale të skuadrës”, tha fillimisht Begolli.
Ai bëri të ditur se Vëllaznimi këtë sezon do të jetë kandidat për inkuadrim në Superligë, por konkurrenca është e fortë.
“Kemi ndërtuar një ekip që synon vendet e para dhe nëse na ofrohet mundësia do “luftojmë” për ta arritur Superligën. Mendoj që grupi është mjaftë i fortë dhe ka ekipe tejet cilësore, pavarësisht së disa prej tyre e kanë filluar keq kampionatin. Ka shumë kohë deri në fund të sezonit, kur dhe do të ndahen skuadrat që do të “luftojnë” për inkuadrim në Superligë”, shtoi ai.
Ish-futbollisti i Prishtinës gjithashtu përmendi faktin se e kanë nisur kampionatin me vonesë dhe kjo i ka penguar paksa ata.
“Mendoj që kemi filluar pak me vonesë dhe kjo na ka hendikepuar në shumë aspekte duke filluar nga përgatitja fizike e deri të afrimet e futbollistëve, por unë jam mjaftë i kënaqur me këtë grup që kemi dhe mendoj që në janar duhet të intervenohet që ta rrisim konkurrencën” u shpreh trajneri i kuqezinjve.
Renditja në tabelë, Liga e Parë, Grupi A