Sport Shqiptar

Diar Prokshi: “Jemi bashkuar të gjithë tek Feronikeli që ta rikthejmë lavdinë e klubit”

Diar Prokshi

Klubi i Feronikelit para disa ditësh ka zyrtarizuar nëntë transferime, e njëri nga ta është edhe Diar Prokshi i rikthyer në klubin e qytetit të tij, shkruan Shqip.com.

Prokshi është shprehur i lumtur për rikthimin e tij te “Nikli”, teksa shtoi se atmosfera tek klubi është shumë e mirë.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Pothuajse të gjithë lojtarët kemi luajtur së bashku në të kaluarën dhe e njohim shumë mirë lojën e njëri-tjetrit. Është një bashkëdyzim i lojtarëve me shumë përvojë në futbollin e Kosovës dhe lojtarëve të ri me shumë energji dhe pasion për futbollin. Besoj që shumë shpejtë do të komponohet ekipa dhe nuk do të mungojnë as rezultatet”, tha fillimisht Diar Prokshi për Gazetën “Blic”.

Futbollisti nuk beson se kriza momentale tek Feronikeli do të ndikojë tek lojtarët, teksa shtoi se janë bashkuar të gjithë që ta kthejnë lavdinë e klubit të madh kosovar.

“Siç e dimë të gjithë, Feronikeli ka lënë gjurmë në historinë e re të futbollit të Kosovës. Kriza momentale në klub nuk do të ketë impakt në lojën tonë, jemi bashkuar të gjithë që të vazhdojmë sukseset e klubit, ta rikthejmë lavdinë e klubit dhe krenarinë e qytetit të Drenasit”, shtoi ai.

Në fund, Prokshi premtoi se do ta japë maksimumin për klubin, qytetin dhe tifozët.

“Kemi përgjegjësi të madhe mbi supet tona, secili prej nes në këtë kohë jo shumë të lehtë për klubin, andaj besojmë që suksesi i klubit do të jetë sukses për të gjithë si ekip dhe për secalin veç e veç. Në çdo lojë do ta japë maksimumin për klubin, qytetin dhe tifozët e qytetit tim”, përfundoi ai./Shqip.com