Lajme

Deputetja Musliu paralajmëron padi ndaj ministrit Peci: E gjuajta me ujë se shpifte për mua

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në konferencë për media

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka paralajmëruar padi ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi siç ka thënë, ky i fundit ka shpifur për të.

Ajo në konferencë për media në oborr të Kuvendit, ka thënë se ministri Peci e ka akuzuar atë si pjesë të krimit të organizuar në Ministri të Bujqësisë. 

Gjatë raportimit në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim të martën, Peci pati një debat të ashpër me Musliun, derisa kjo e fundit iu drejtua ministrit me fjalët “ti je rrugaç” dhe e gjuajti me ujë.

Por, për këtë veprim, Musliu thotë se nuk është aspak pishman.

Sipas saj, këtë e ka bërë në përpjekje për t’i ndaluar siç ka thënë, shpifjet që Peci po bënte ndaj saj gjatë mbledhjes së komisionit.

“Unë i kam kërkuar kryetares të ia ndalë fjalën, por në momentin që ajo nuk ka vepruar, unë kam të drejtë të mbrohem dhe nuk tërhiqem nga ai veprim”, ka thënë Musliu në konferencë për media.

“E kam bërë me vetëdije të plotë, sepse ai ministër nuk e meriton të flasë në atë formë. Ministrat kur vijnë në Kuvend duhet të dinë detyrat dhe përgjegjësitë e veta”./SHQIP.com