Lajme

Deputeti i PDK-së, Shala: Gjendja prodhuese në Trepçë çdo ditë e më tepër po rëndohet

Minatorët paralajmërojnë veprime sindikale nëse nuk u plotësohen kërkesat
Minatorët paralajmërojnë veprime sindikale nëse nuk u plotësohen kërkesat

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se gjendja prodhuese e ndërmarrjes Trepça, çdo ditë e më tepër po rëndohet. Ndërsa, ka thënë se  Ministria e Ekonomisë vazhdon të mbajë konferenca shtypi, duke manipuluar me shifra të prodhimit e të rentabilitetit të ndërmarrjes Trepça.

“Nëse analizojmë planin e prodhimit me dinamikat e realizimit gjatë këtij viti, shohim se ndërmarrja ka probleme dhe vështirësi të mëdha në realizim”, ka shkruar Shala në rrjetin social Facebook.

Postimi i plotë:

Gjendja e prodhuese e ndërmarrjes Trepça Sh.A, çdo ditë e më tepër po rëndohet.

Nëse analizojmë planin e prodhimit me dinamikat e realizimit gjatë këtij viti, shohim se ndërmarrja ka probleme dhe vështirësi të mëdha në realizim.

Në vitin 2023, prodhimi i koncentrateve për një periudhë prej 11 muajsh kalendarik ka arritur në 43.03%, ndërsa në vlera vjetore është 38.64%. Shifrat konkrete tregojnë se janë shitur 7,380,930 tonë, duke qenë më pak se objektivi i paracaktuar i biznesit prej 9,772,340 tonë. Përveç volumit të prodhuar më pak, një shqetësim i shtuar është ulja në cilësinë e koncentrateve.

Për shembull, në rastin e koncentratit të plumbit në Stanterg, përqindja e plumbit është zvogëluar nga mesatarja e zakonshme e 70% në 57%. Për argjendin, vlera është ulur nga 1,100 në 850 g/tonë.

Situata është e ngjashme edhe për koncentratin e zinkut dhe atë të Koshnicës, ku nuk ka pasuar rritje në të ardhurat, ndërkohë që shpenzimet janë shtuar. Në anën tjetër, humbjet në procesin e flotimit janë të mëdha (rrjedhja e metalit në steril).

Fatkeqësisht, Ministria e Ekonomisë mbante konferenca shtypi, duke manipuluar me shifra të prodhimit e të rentabilitetit të ndërmarrjes Trepça.

/Shqip.com