Lajme

Deputeti gjerman i bën thirrje Komitetit të Ministrave të shteteve të KE-së që Kosovën të fusin në agjendë

Deputeti gjerman Knut Abraham

Deputeti gjerman Knut Abraham i ka bërë thirrje Komitetit të Ministrave të shteteve që janë anëtare të Këshillit të Evropës që ta vendos Kosovën në agjendën e takimit të radhës.

Sipas Abraham, ka ardhur koha për të vepruar dhe se tani është momenti i duhur.

“Koha për të vepruar: I bëj thirrje Qeverisë italiane që ta vendosë në agjendë propozimin e Kosovës, në mënyrë që të diskutohet në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës në Torino, që mbahet të premten. Ky është momenti i duhur që duhet të përdoret tani”, ka shkruar ai në “Twitter”.

Theksojmë se më 12 maj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Lexo edhe:
Çfarë është Këshilli i Evropës?

Gërvalla këtë e ka bërë të ditur përmes një adresimi në Facebook.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të KE dhe në emër të Kosovës propozuam kërkesën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, asamblesë parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, tha Gërvalla.

Ajo u shpreh e bindur se aplikacioni i Kosovës do të pranohet./Shqip.com