Lajme

Dënimi me 8 muaj burgim i dhunuesit: Kryetari i Supremes kërkon përgjegjësi disiplinore

Gjykata Supreme e Kosovës

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha, të adresojë përgjegjësinë disiplinore lidhur me dënimin me rastin e dhunimit të një 15-vjeçarje, dhunuesi i së cilës u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burg.

“Lidhur me rastin e publikuar nëpër portalet e ndryshme të lajmeve për dënimin e të akuzuarit  për veprën penale Dhunimi, e që pretendohet se ka pas shkelje ligjore, Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Lexo edhe:
Me aksion kundërshtohet dënimi me 8 muaj burg ndaj burrit që dhunoi të miturën

Më tej, bëhet e ditur se Kryetari i Gjykatës Supreme është zotuar se çdo  rast i dyshimtë, pa përjashtim, nga bartësit e funksioneve gjyqësore, do të trajtohet në mënyrë efikase dhe të drejtë”.

Vendimi për këtë është marrë 10 vite pas krimit, dhe i dënuari tashmë nuk është e nevojshme të shkojë në burg pasi dënimin e ka vuajtur në paraburgim.

Para dy muajsh, gjyqtarja Florije Zatriqi ka gjetur rrethana lehtësuese për rastin ku dënimi parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vjet burgim.

Në vendimin e marrë, dënimi u arsyetua me “keqardhjen dhe pranimin e fajësisë si dhe në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar dhe tani kanë kaluar 10 vite e se ai ka fëmijë”.

Lexo edhe:
Gjykata në Pejë mbushet me mbishkrime pas dënimit me 8 muaj burgim të personit që dhunoi një 15-vjeçare

Ndërkohë, të martën Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, që të rishqyrtojë lëndën e prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.