Lajme

Deliu Kodra-Osmanit: Kundërshtoje shtrenjtimin e rrymës, mos rri në rrugën e Kurtit

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, i ka bërë thirrje Presidentes, Vjosa Osmani, që të kundërshtojë propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra i ka thënë Osmanit se duhet të dalë dhe të mbrojë interesin e qytetarëve të Kosovës.

“Presidente, vepro e pavarur nga Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje: Dil dhe mbroje interesin e qytetarëve të Kosovës. Presidente, dil dhe kundërshtoje shtrenjtimin e energjisë elektrike”, ka shkruar ajo.

Deputetja e PDK-së gjithashtu iu ka drejtuar Presidentes që “mos rri në rrugën e Kryeministrit Kurti”.

“Paralajmërimi i tij se nuk ka zgjidhje tjetër përveç shtrenjtim të energjisë elektrike, nuk duhet të vlejë si parashkrim i qëndrimit tënd”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Ndryshe, në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë.

Rritja e tarifave të energjisë u kundërshtua edhe me 29 janar, ku Partia Socialdemokrate ka mbajtur protestë para Qeverisë së Kosovës.

Sipas të dhënave nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në protestë kanë marrë pjesë 2 mijë e 500 deri në 3 mijë persona. /SHQIP.com