Lajme

Dedaj insiston në seancë private, gjykatësi refuzon

Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj
Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj

Gjergj Dedaj po vazhdon dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke i përgënjeshtruar deklaratat e tij të mëhershme dhe duke mohuar vazhdimisht se ai ishte keqtrajtuar gjatë luftës.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, refuzoi në një moment kërkesën e tij që seanca të vazhdonte në privatësi.

Dedaj u pyet nga prokurorja për një artikull të gazetës “Bota Sot”, të 9 korrikut të vitit 2000, të cilin sipas Prokurorisë, ai ia kishte dorëzuar UNMIK-ut një vit më vonë.

“Ju keni nënshkruar më 4 shtator 2001 dhe ia keni dorëzuar UNMIK-ut. A është e vërtetë kjo?”, e pyeti prokurorja atë.

Dedaj kaloi te kërkesa e tij: “Dëshiroj të kaloni në seancë private nëse është e mundur”.

“Për çfarë arsye?”, ndërhyu gjykatësi.

“Sepse unë kam nipa e mbesa në Prishtinë, dhe unë jam shumë i shqetësuar – edhe një herë po ua them- për fatin e tyre, jo për fatin tim, fati im s’është i rëndësishëm”, tha Dedaj.

“Kërkesa juaj rrëzohet. Mund të vazhdoni prokurore”, tha gjykatësi Smith.

Më tej, Dedaj pranoi se atë artikull ia kishte dhënë UNMIK-ut në vitin 2001.

“Këto janë shkrime të gazetave. Normal qe ia kam dhënë unë…”, tha ai.

Dedaj vazhdoi duke thënë se po i rrezikohet familja.”Këtë nuk besoj që keni të drejtë ta bëni, por ju e keni mundësinë dhe vazhdoni bëjeni”, tha ai.

Pas këtyre fjalëve, prokurorja i kërkoi gjykatësit që seanca të bëhet private.

Për pak minuta, seanca kaloi në private, por më pas u hap sërish për publikun.

/Shqip.com