Lajme

Dëbimi i diplomatëve: Veprime si ky parandalojnë ndikimin rus në Kosovë

Posterë të presidentit rus, Vladimir Putin, të vendosur në veri

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të dëbuar nga Kosova dy diplomatë rusë po shihet si pozitiv për parandalimin e ndikimin rus në Kosovë.

Të premten, MPJD-ja shpalli “non grata” Denis Vengerskii-n dhe Alexey Kryvosheev-in, të cilët janë identifikuar nga institucionet e Kosovës se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare.

Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev

Njoftimin e bëri publik presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se dy diplomatët të cilët kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Prishtinë, janë të padëshirueshëm në Kosovë.

Por, njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë vlerësojnë se ky vendim është i drejtë dhe se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë duhet të punojë më shumë në hetimin e individëve të cilët ndikojnë në destabilizimin e vendit.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një prononcim për Shqip.com tha se diplomatët e dëbuar nuk duhet që asnjëherë të lejohen të hyjnë në Kosovë.

“Besoj së në rastin e zyrtarëve rusë është marrë vendim i duhur. Po ashtu mendoj se tentativat për ndikim rus në Kosovë që vazhdimisht po bëhen qoftë përmes strukturave serbe, duhet të ndërpriten përmes veprimeve si ky”, theksoi Qalaj.

Sipas tij, AKI-ja duhet ta ketë prioritet ndjekjen dhe hetimin e të gjithë atyre individëve që mund të ndikojnë në destabilizimin e vendit.

Ndërsa, shton se të tillë “besoj se ka më shumë”.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj

Vendimin e MPJD-së po e sheh të drejtë dhe jo “ad-hoc” edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Madje, sipas tij, një vendim i tillë është dashur të merret më herët.

“Është veprim i drejtë i cili është dashur të merrej qysh moti për shkak të ndikimeve të mëhershme të diplomatëve rusë që janë në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Rusë në Kosovë dhe pas një serie rastesh dhe aferash në Ballkan”, deklaron ai për Shqip-in.

Ndërsa, veprimi i tashmë ish-diplomatëve thotë se “tregon që Rusia ka tendencë të vazhdueshme për shtrirje gjeostrategjike në Ballkan, sigurisht edhe kundër prezencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe rajon”.

I pyetur se a ka të tjerë persona që mund të ndikojnë në destabilizimin e vendit e që AKI-ja duhet t’i hetojë tha se “me siguri ka dhe të tjerë, po kjo është çështje e AKI-së e cila duhet t’i hetojë”.

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë

Ndërsa, Drizan Shala, po ashtu ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë se institucionet e sigurisë duhet domosdo të rrisin kapacitet në drejtim të identifikimit të rrezikshmërisë që mund të vijë nga Serbia.

“Jo vetëm nga Serbia, por edhe nga strukturat e saj që kanë lidhje me formacionet WAGNER të Rusisë, të cilat janë të lidhur ngushtë me politiken e jashtme të këtij shteti”, thuhet në përgjigjen e Shalës për gazetën.

Sipas tij, është e ditur botërisht që Rusia ka tendenca të krijojë narracion ndërkombëtar duke shtrembëruar realitetin e Kosovës dhe të arriturat e saja në aspektin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm.

Eksperti: “Kërcënimet përmes rrjeteve sociale janë kërcënim direkt për  shtetin e Kosovës” - Telegrami Sot
Drizan Shala, ekspert i sigurisë

Vendimin e MPJD-së e ka përshëndetur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, cili përmes llogarisë së tij në Facebook ka thënë se “askush që ushtron aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës, nuk është i dëshiruar në vendin tonë”.

Ndërsa, Ambasada ruse në Beograd, duke komentuar vendimin e autoriteteve të Kosovës ka thënë se “vendimet e marra nga shteti i panjohur i Kosovës nuk kanë fuqi ligjore”.

“Ne nuk e njohim ‘pavarësinë’ e Kosovës, prandaj nuk e njohim ‘qeverinë’ dhe ‘strukturat’ e tjera të saj. Asnjë nga vendimet e Prishtinës nuk ka fuqi juridike për ne”, thuhet në reagimin e ambsadës./SHQIP.com

Ambasada ruse në Beograd