Kulturë

“Dardanët e Ilirisë”, libri më i ri i autorit Arianit Buqinca

Arianit Buqinca - Dardanët e Ilirisë (VI - I p.e.s.)
Arianit Buqinca - Dardanët e Ilirisë (VI - I p.e.s.)

Studiuesi Arianit Buqinca ka botuar monografinë studimore “Dardanët e Ilirisë (VI-I p.e.s.)”. Për të përfunduar këtë studim monografik, në kuadër të Degës së Historisë të Institutit Albanologjik, autori ka vjelë dhe hulumtuar të dhëna të moçme letrare në Francë, në Itali, në Kosovë dhe vende të tjera të rajonit. Monografia e autorit fillon me disa pyetje të parashtruara në historiografi në të kaluarën, të cilave mundohet t’u japë përgjigje përmes metodologjive hulumtuese bashkëkohore.

Në pyetjen se cilët janë dardanët, autori sheh se, midis problemit trojan dhe atij ilir, përballja midis burimeve arkeologjike dhe burimeve letrare nuk është shumë e frytshme.

Në pyetjen se çfarë dimë për dardanët autori sheh se historiografia ballkanike është e minuar nga polemika sterile nacionaliste që kundërshtojnë studiuesit e vendeve të rajonit, dhe jo vetëm.

Arianit Buqinca – Dardanët e Ilirisë (VI – I p.e.s.)

Autori, në këtë monografi, tregon kujdes kur zgjedh kufijtë kronologjikë për të kapërcyer ngërçet e mëparshme. Objektivi është i qartë: sprovohet të vizatohet një tablo e Dardanisë, siç mund ta zbulonin romakët, kur legjionet e tyre mbërritën në vend, prandaj autori ka zgjedhur shekullin I p.e.s., si kufi të poshtëm kronologjik.

Meqenëse edhe burimet antike për dardanët dominojnë gjatë periudhës romake është munduar të kërkojë origjinën e këtyre informacioneve, sidomos kur shkruan për historinë sociale të dardanëve. Zgjedhjen e shekullit VI p.e.s., si kufi të sipërm kronologjik, autori e bazon në faktin se nga kjo kohë, arkeologjia, në thelb funerale, e lejon të shohë shfaqjen e një shoqërie të strukturuar, kryesisht ushtarake, që evoluon pak nga pak drejt një shteti të aftë për të mbrojtur veten nga agresionet e jashtme, madje edhe të aftë për të kryer sulme në territoret armiqësore.

Kjo zgjedhje kronologjike mund të krijojë përshtypjen se në këtë monografi autori favorizon diakroninë. Në fakt, përveç kapitullit të parë plot ngjarje, dominon më tepër një vizion sinkronik, sepse të dhënat arkeologjike nuk janë ende të mjaftueshme për të përcaktuar fazat kronologjike në këtë proces urbanizimi dhe shtetëzimi.

/Shqip.com