Conte e nis me barazim rikthimin në Londër, vazhdon shkëlqimi i Arsenalit

Antonio Conte e ka nisur me barazim, rikthimin e tij në Premierligë.
Skuadra që ai e drejton, Tottenhami ka barazuar pa gola – në udhëtim ndaj Evertonit, në kuadër të gjiros së 11-të në Premierligë, shkruan Shqip.com.
Madje, në këtë ndeshje, ishte Evertoni që pati disa raste të mira shënimi, por nuk i konkretizuan.
Tottenhami, e pati posdimin e topit, por nuk ishin aspak të rrezikshëm në fazën sulmuese dhe ndeshja përfundoi me barazim.

Me këtë barazim, Spurs mbeten në pozitën e nëntë, më 16 pikë, nëntë më pak se Chelsea që është lidere. Kurse, Evertoni është dy pozita më poshtë, me një pikë më pak.
Në anën tjetër, Arsenali po vazhdon me formë të mirë.
“Gunners” kanë triumfuar ndaj Watfordit, me rezultat minimal 1-0.
Për skuadrën e udhëhequr nga Mikel Arteta, golin e vetëm e shënoi Smith Rowe, në minutën e 56-të.
21 vjeçari po në formë fenomenale, pasi në tre ndeshjet e fundit ka regjistruar dy gola dhe një asistim.
Kjo fitore ishte edhe një tregues tjetër që Arsenali është këndellur dhe po synon kreun e tabelës.
Me këtë fitore, londinezët gjenden në pozitën e gjashtë në Premierligë, me 20 pikë, pas 11 ndeshjeve të zhvilluara./Shqip.com