Lajme

Çmimi i derivateve po bie, por çmimi i biletave jo

Stacioni i Autobusëve, Prishtinë.

Rreth dy muaj më parë, çmimet e biletave të autobusëve transportues në disa qytete në Kosovë pësuan rritje, e arsye për këtë u dha rritja e çmimit të naftës. Tani që është paralajmëruar ulje e çmimeve të derivateve, njëjtë nuk pritet të ndodhë edhe me biletat e autobusëve.

Fadil Bërjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, në një prononcim për Shqip.com, tha se rënie të lehtë të çmimeve pritet të ketë nga java e ardhshme.

Siç bëri të ditur ai, deri në fundin e vitit, derivatet do të kthehen në çmimet e tyre paraprake.

“Rënie e lehtë do të jetë. Gjasat janë që të ketë stabilizim të tregut”, tha Bërjani duke shtuar se aktualisht çmimet e naftës në Kosovë variojnë ndërmjet 1.19 ose 1.20 euro nafta, benzina 1.23 deri në 1.30.

Theksoi se çmimet e derivateve përcaktohen nga BERZA dhe Organizata Prodhuese OPEC, e cila siç tha, ka filluar të ketë më shumë prodhim, duke bërë kështu të ketë zbritje të çmimeve.

Fadil Bërjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

Shoqata e Transportit Rrugor mohon të ketë rritje të çmimeve të biletave të autobusëve

Me arsyetimin se “ka ngritje të çmimit të derivateve dhe shpenzimeve tjera”, disa kompani të autobusëve në Kosovë rritën çmimet e biletave gjatë muajit tetor e nëntor.

Disa udhëtarë u njoftuan paraprakisht e ca të tjerë u zunë në befasi.

Drejtoresha e Stacionit të Autobusëve në Ferizaj, Albulenë Çalaj, në një prononcim për Shqip.com, duke pohuar se disa kompani private kanë rritur çmimet e biletave, tha se ato mund të vendosin vetë lidhur me këtë çështje.

Sipas saj, stacioni nuk është përgjegjës dhe se nuk janë njoftuar paraprakisht nga kompanitë.

Stacioni i autobusëve në Ferizaj

“Kompanitë private vendosin vetë për çmimet. Në stacion paguhet vetëm peronizimi, e që ne nuk kemi ngritur ende çmimin për person. Ne nuk jemi përgjegjës për këtë ngritje dhe nuk na kanë njoftuar kompanitë, pasi që është tregu i lirë”, tha Çalaj.

“Me siguri ngritja e derivateve i ka shtyrë ata që ta ndryshojnë çmimin e biletave. Po, ata janë kompani private. Te ne shërbehen vetëm me peronizim dhe paguajnë vetëm peronin”, shtoi ajo.

Por, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve mohon të ketë rritje të çmimeve.

Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, i pyetur nga Shqip.com nëse ulja e çmimeve të derivateve nënkupton edhe ulje të çmimeve të biletave të autobusëve, tha se “s’mund të ketë ulje, pasi s’ka pasur rritje”.

“Na s’kemi ngritur çmime, për t’i zbritur ato. Absolutisht s’ka pasur rritje. Ka mundësi të ketë pasur harmonizim, por janë çmime reale”, deklaroi Kurtishaj.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj

Pse u rriten çmimet e derivateve?

Rritja e çmimeve të derivateve tregon se në Kosovë nuk ka institucione relevante që rregullojnë konkurrencën e lirë, thotë njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Sipas tij, derivatet janë ato që e diktojnë ekonominë në vend, ndërsa institucionet rregullojnë konkurrencën e lirë.

Këto të fundit, Kadriaj thotë se nuk duhet të lejojnë rritje të paarsyeshme të çmimeve, “pasi në këtë mënyrë debalancohet ekonomia e tregut”.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës deri tani shihet se nuk e ka kryer punën e vet”

Për rritje të çmimeve herë pas here në vend, ekonomisti Kadriaj fajëson Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, për të cilin institucion thotë se “nuk po e kryen punën e vet si duhet”.

Sipas tij, zinxhiri në nivel institucional nuk është duke funksionuar dhe kjo ka bërë që të dëmtohet qytetari dhe biznesi.

“AKK-ja deri tani nuk e ka kryer punën, ndoshta nuk ka edhe staf të mjaftueshëm, por po shihet që në terren dhe praktikë nuk po funksionon çmimi i balancuar dhe kemi neglizhencë në këtë drejtim që gjithmonë e dëmton xhepin e qytetarit”.

Mustafë Kadriaj: Kryeministri nuk duhet të ketë frikë nga dialogu me  Serbinë - ATV LIVE
Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj

Imeri: AAK nuk ka mandat të rregullojë çmimet e produkteve/shërbimeve

Sakip Imeri, drejtor në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, thotë se ky institucion nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi për shkak se, siç tha, çmimet vendosen duke u bazuar në ofertën dhe kërkesën në treg.

Por, shtoi se AAK-ja ndërhyn vetëm në ato raste kur “ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i ndonjë marrëveshje në mes tyre, përmes formës se marrëveshjeve të ndaluar apo – praktikave të bashkërenduara)”.

Në rastin e rritjes së çmimeve të biletave, Imeri pohoi se kanë pranuar disa ankesa nga qytetarët në Ferizaj.

Në këtë komunë, shtoi se Autoriteti ka monitoruar tregun, por gjatë takimeve me përfaqësuesit e kompanive transportuese, këta të fundit kanë deklaruar se çmimi i biletave janë ngritur në mënyrë individuale.

“Pra, janë ngritur çmimet vetëm për biletat e studentëve dhe kjo ka ardhur si pasojë e ngritjes së çmimit të derivateve të naftës dhe jo për ndonjë arsye tjetër”, tha Imeri./SHQIP.com

Sakip Imeri, drejtor në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës