Kulturë Kino

Çka përfaqëson filmi që do ta dërgojë Kosovën në “Oscars 2023”?

Mohimi i vetvetes, ndjenjave, trupit, epsheve që shpesh ndodh te të rinjtë e vendit për shkak të mënyrës tradicionale të të jetuarit, po shfaqen në detaje në filmin që do ta çojë Kosovën në “Oscars 2023”.

“Në kërkim të Venerës”, me regji të Norika Sefës, është zgjedhur të jetë kandidat i Kosovës për edicionin e vitit të ardhshëm.

Regjisorja Sefa, për Shqip.com tha se tematika e filmit e ka intriguar dhe e ka bërë filmin më të veçantë.

“Filmi trajton një situatë familjare ku në qendër të vëmendjes ka karakterin Venerën, e cila po mundohet të provokojë një ndryshim që po e mundon në jetë, ku familjarët e saj e kanë marrë si të mirëqenë”, tha Sefa.

Ndër të tjera ajo tha se kjo ka ardhur nga vetë fakti që në Kosovë ende ekziston një formë tradicionale e të jetuarit.

“Duke e ditur që ne kemi një jetë “set-up” ajo nuk diktohet ne si dimë dëshirat e fshehta të dikujt, dëshirat që shtyjnë tutje me dashtë dikë apo me marrë diçka, dhe kjo ide se si dëshira sillet në formë tradicionale ku një vajzë nuk di si t’i manovrojë dëshirat e veta nuk dinë si ti shpreh por është duke munduar të rritet dhe të kuptojë vetveten se si ndikon kjo të tjerët”, ka shtuar tutje regjisorja.

Dinamika e tillë, mënyra si si karakteret përdorin trupin e tyre në raport me të tjerët, tentimi dhe dëshira për vet njohje sipas regjisores ka marrë edhe vëmendjen e shumë kritikëve të filmit në vend e botë.

“Është krejt te kjo se kush jam unë me të tjerët, një temë universale diçka që ë kanë vlerësuar kritikuesit e filmit, diçka që luhet si të mos kishte kamera, janë aq natyral sa që shumica as nuk janë aktor, kanë luajtur aq natyral sa që i kupton shumë më mirë”, tha ajo.

Prezantimi i një filmi të tillë në botë, për Sefën është shumë i veçantë dhe i rëndësishëm për Kosovën.

“Është shumë e rëndësishme nëse një film i tillë veç shihet prej njerëzve në industrinë botërore të filmit, sepse e shohin temën, lokacionin ku është xhiruar filmi, kapacitetin e të rinjve tonë si aktorë si të tjerë të anës kreative, ne po japim një film dhe po tregojmë që me sado kushte të vogla buxhetore ne kemi shumë talent dhe shumë energji”, u shpreh Sefa.

“Në kërkim të Venerës”, ka pasur premierën botërore në shkurt të vitit 2020, dhe që nga atëherë është prezantuar në shumë kinema botërore dhe deri tani ka marrë 20 çmime./Shqip.com