Lajme

Çka parasheh “Drafti gjerman” për Asociacionin e komunave serbe?

Një propozim i qarqeve perëndimore për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është duke qarkulluar me titullin “drafti gjerman”, sipas burimeve të mediumit KOHA.

Sipas nenit të parë, Asociacioni është entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Ligjin e Ratifikimit të Marrëveshjes së parë dhe Kushtetutën e Kosovës.

Kujtojmë se marrëveshja e Asociacionit është arritur në Bruksel më 19 prill 2013 në kuadër të Marrëveshjes së Parë për Rregullimin dhe Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në këtë marrëveshje, Asociacioni do të ishte një strukturë e komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh, e cila synon t’i integrojë serbët në tërë territorin e Kosovës.

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese në Kosovë kishte marrë vendim në lidhje me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në vendim thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Që nga ajo kohë, tash e 9 vite çështja e Asociacionit ka mbetur pezull për faktin e kundërshtive të mëdhaja që kane qenë në Kuvendin e Kosovës.

Kujtojmë këtu, veprimet e Vetëvendosjes, partisë së tanishme në Kuvend, që edhe fizikisht kishte intervenuar për të pamundësuar votimin e Asociacionit të Komunave serbe.

Këto janë dy nenet e “Draftit Gjerman” që është duke qarkulluar tash e disa muaj, si ide e propozuar për të përmbyllur çështjen e Asociacionit.

Neni 1

1.Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë është një entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Ligjin e Ratifikimit të Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

2.Statuti i Asociacionit/Bashkësisë është akti më i lartë ligjor i Asociacionit/Bashkësisë.

3.Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues që është i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

4.Kuvendi i Asociacionit/Bashkësisë është trup përgjegjës për amandamentimet e statutit. Gjitha amandamentimet e statutit do të bëhen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Amandamentimet e statutit duhet të miratohen nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet një akti ligjor në përputhje me Kushtetutën. Nëse shihet e nevojshme, Qeveria do të rishikojë në mënyrë kushtetuese çdo amandament të prodhuar nga Kuvendi i Asociacionit, vlerësimi i cilit do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese.

5.Asociacioni/Bashkësia përbëhet nga dhjetë komuna (Lista e Komunave) dhe përfaqëson interesat e tyre dhe të banorëve të tyre. Anëtarësia në Asociacion/Bashkësi është vullnetare. Procedurat për shtim të anëtarëve, largim nga anëtarësia apo shpërbërje të Asociacionit/Bashkësisë janë të definuar nga ky Statut.


Neni 2

1.Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë janë autoritete të komunave pjesëmarrëse.

2.Emrat zyrtarë të entitetit ligjor janë: “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë”, “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe “Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë”. Të tre emrat zyrtarë i referohen entitetit ligjor të krijuar nga ky Statut. Në tekstin e mëtutjeshëm, emërtimi Asociacion/Bashkësi nënkupton të gjitha apo ndonjë nga emrat zyrtarë. Trupat zyrtarë të Kosovës apo përfaqësuesit e Asociacionit/Bashkësisë kanë të drejtë t’i referohen kësaj në cilindo nga tri emrat.

3.Aktivitetet e Asociacionit/Bashkësisë janë të bazuara në parimet e pjesëmarrjes vullnetare të anëtarëve të sajë, nga demokracia e avancuar dhe nga qeverisja lokale, e nga respektimi i dispozitave të mbrojtjes dhe përfaqësimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve që është e bazuar në Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës.

4.Autoritetet komunale i bashkohen Asociacionit/Bashkësisë në bazë të një vendimi nga Kuvendet Komunale në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë vendimmarrjen e këtij trupi komunal. Në procesin e bashkimit të këtij Asociacioni/Statuti, secili anëtarë duhet të miratojë Statutin e vetë.

5.Anëtarët e Asociacionit/Komunave kanë të drejtën të pushojnë anëtarësinë e tyre. Vendimi për t’iu larguar Asociacionit/Bashkësisë duhet të merret nga Kuvendi Komunal i komunës përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë vendimmarrjen e këtij trupi komunal. Një komunë që largohet nga Asociacioni/Bashkësia mund të vendosë të rikthehet si anëtare nëpërmjet procedurave të specifikuara në pikën 4 më lartë.

6.Asociacioni/Bashkësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër me kusht që anëtarët janë në pajtim. Vendimi për të pranuar një anëtar të ri të Asociacionit/Bashkësisë do të merret me 2/3 e delegatëve të Asamblesë.

7.Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet me vendim të Asamblesë së vetë me një shumicë prej 2/3 e anëtarëve, siç vendoset nga kryetarët përkatës të komunave.

8.Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë kanë të drejtë të përjashtojnë një apo më shumë komuna nga anëtarësia nëpërmjet një vendimi të marrë nga Asambleja e vetë me një shumicë prej 2/3 të anëtarëve.

9.Asociacioni/Bashkësia duhet të ketë simbolet e veta zyrtare, përfshirë stemën dhe një flamur, që do të dizajnohet nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

10.Selia e Asociacionit/Komunave do të përcaktohet nga Asambleja e vetë.

11.Asociacioni/Bashkësia ka të drejtën për llogaritë e veta bankare dhe ka të drejtën për pronë dhe të angazhohet në transaksione financiare.

/Shqip.com