Lajme

Operacioni i SPAK, urdhërarrest edhe për Lul Berishën

Është lëshuar urdhër arrest edhe për Lulzim Berishën, i njohur ndryshe edhe si Lul Berisha. 2 persona për të cilët është lëshuar urdhër arrest, në kuadër të operacionit të SPAK, ndodhen në Spanjë.

Ish-kreu i bandës së Durrësit, i cili ishte në kërkim prej 2022, u arrestua në Spanjë më 14 dhjetor 2023. Ai fshihej në Spanjë me letra bullgare dhe pritet ekstradimi i tij në vendin tonë.

Kush është Lul Berisha?

Në vitin 2016, Lul Berisha  arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet e shkaqeve shëndetësore.

Ky vendim në atë kohë erdhi pasi Gjykata e Lartë kishte refuzuar prokurorinë për dënimin me burgim të përjetshëm.

Berisha u arrestua në 2006-ën për aktivitetin kriminal të bandës së Durrësit të kryer në vitet 1998­- 2000 për veprat penale “Vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. 16 anëtarë të kësaj bande u dënuan në total me 245 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda.

Megjithatë, në janar të vitit 2022 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga Prokuroria e Durrësit për të njëjtën gjë që u lirua në 2016-ën.

Shkak rreth 2 vjet më parë u bë pasi Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e lirimit të tij me kusht.

Në vitin 2020, Lulzim Berisha u shpall në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë.

Për vrasjen e Lames çështja u pushua, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

/Shqip.com