Lajme

Çitaku thotë se Kurti po bëhet pengesë për të kuptuar të vërtetën e Martin Berishajt

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, ka folur për rastin e ambasadorit Martin Berishaj. Ajo kritikoi Kurtin që nuk ka marrë vendim për shkarkimin e ambasadorin në Kroaci.

Çitaku ka thënë se është “pikërisht Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i cili po bëhet pengesë për t’iu hapur rrugë përgjegjësisë dhe të vërtetës”.

“Që nga fillimi i prillit 2022 dhe gjatë gjithë vitit dhe aktualisht Qeveria Kurti është munduar të amnistojë dhe të fshehë një prej skandaleve dhe aferave më të thella e më të mëdha, protagonist të së cilës palë i gjen mafinë energjetike të vendeve të Ballkanit si dhe ambasadorin Berishaj, mik i Kurtit, i emëruar ambasador nga Kurti, dhe përballë këtij skandali i marrë në mbrojtje direkte nga Kurti”, tha ajo.

Çitaku e akuzoi Berishajn për deklarata të rrejshme në komisionin hetimor parlamentar.

“Dje mediat raportuan në lidhje me veprimtarinë komerciale të Martin Berishajt me kompaninë GEN, për çka nuk ka qenë i sinqetë gjatë paraqitjes së tij në komisionin hetimor, pra amabsadori Berishaj në komisionin parlamentar duket se ka dhënë deklarata të rrejshme, dhe kjo në vetvete është vepër penale. Sipas këtyre të dhënave, në llogarinë e tij, GEN ka hedhur hiç më pak se 1 milion e 470 mijë euro, vlerë që nuk e ka raportuar në komision”, deklaroi Çitaku.

Ajo deklaroi se prapa ambasadorit Berishaj fshihet një lidhje shumë e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit.

“Prapa ambasadorit Berishaj fshihet një lidhje shumë e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Jemi të bindur se për të shërbyer si ambasador është tema e fundit për të cilën preokupohet Martin Berishaj e për të cilën mendon Albin Kurti”, tha ajo.

/Shqip.com