Lajme

Çitaku fajëson Qeverinë për dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve në veri

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në konferencë për media

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas shtyrjes së zgjedhjeve në komunat në veri të vendit, ka thënë se Qeveria ka dështuar të krijojë kushte për mbajtjen e tyre.

Ajo ka deklaruar se PDK-ja nuk mund të hyjë e vetme në këto zgjedhje, “sepse ishte mendim i të gjitha subjekteve politike që ato të shtyhen, ndaj i është bashkuar konsensusit”.

Këto deklarata Çitaku i ka bërë të shtunën në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ku u mor vendim që zgjedhjet në veri të shtyhen deri në prill të vitit 2023.

Ajo ka porositur Qeverinë që deri në prill, të merret shumë më seriozisht çështja e veriut të vendit.

“Ajo që dëgjuam qartë është se institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria, ka dështuar të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në vend.

PDK-ja nuk mund të hyjë e vetme në zgjedhje në veri, sepse ishte mendim i të gjitha partive që zgjedhjet të shtyhen, dhe ne iu bashkuam këtij konsensusi”, theksoi nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

/Shqip.com